Skandalet me tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po thellohen. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) e shoqëruar me makinë policie, pasi ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
E shoqëruar nga avokati i saj, Karçanaj refuzoi çdo kontakt me mediat. E pyetur nga gazetarët në lidhje me rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, zyrtarja e lartë nuk dha asnjë përgjigje, duke zgjedhur të “kyçë” gojën.
Avokati i saj u kufizua vetëm me një deklaratë të shkurtër:
“Nuk kemi asnjë koment në këto momente.”
Në GJKKO u paraqit gjithashtu edhe zv.drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, e cila po ashtu ndodhet në “arrest shtëpie” dhe refuzoi të flasë për mediat.
Goditja e SPAK dhe BKH
Kujtojmë se të martën, më 16 dhjetor, SPAK dhe BKH goditën një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar se manipulonte tenderët e AKSHI-t përmes dhunës, kërcënimeve dhe pengmarrjes.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO caktoi masa sigurimi për tetë persona, mes tyre edhe drejtueset e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi, të cilat u lanë në arrest shtëpie.
Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin, një emër i njohur për lidhje me krimin e organizuar, dhe biznesmenin Ermal Beqiraj, për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre:
•konkurrencë e paligjshme përmes dhunës,
•heqje e paligjshme e lirisë (rrëmbim),
•shkelje e barazisë në tendera,
•grup i strukturuar kriminal,
•pastrim i produkteve të veprës penale.
Agasi dhe Beqiraj i janë shmangur operacionit të policisë, ndërsa masat e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre mbeten ende të paekzekutuara.
SPAK: Dhunë për të manipuluar tenderët
Sipas SPAK, anëtarët e grupit kriminal kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, duke i detyruar të tërhiqnin ankimimet, në mënyrë që fituesit të ishin të paracaktuar.
“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë detyruar kompanitë të heqin dorë nga ankimet, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për të fituar tenderët”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Hetimet vijojnë, ndërsa AKSHI dhe drejtuesit e saj janë tashmë në zemër të një prej dosjeve më të rënda të korrupsionit dhe krimit të organizuar të viteve të fundit.
