Seanca plenare e sotme në Kuvend u shoqërua me tensione ekstreme dhe akuza të rënda politike, pasi Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit heqjen e autorizimit për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza të forta nga foltorja e Kuvendit, duke lënë të kuptohet se Balluku mund të jetë arratisur për t’iu shmangur drejtësisë.
“Thuhet që Lubia ka marrë dhenë. Këta e bëjnë ‘vidh e ik’. Jo, jo… vidh dhe ik me ligj! Këtë po përpiqemi t’u tregojmë këtyre”, deklaroi Berisha mes thirrjeve dhe kaosit në sallë.
Sipas Berishës, kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut ekspozon një skemë të qartë mbrojtjeje politike, ku mazhoranca përdor Kuvendin si mburojë për të shpëtuar zyrtarët e saj nga drejtësia.
Seanca nisi me bllokim të sallës nga deputetët e opozitës, të cilët zunë karriget e ministrave dhe kërkuan me insistim paraqitjen në Kuvend të Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, person i përfshirë në dosjen e AKSHI-t, të cilin Berisha e ka cilësuar si “pengmarrës”.
Opozita akuzoi mazhorancën se po tenton të fitojë kohë dhe të fshehë provat, ndërsa Garda e Republikës tentoi të ndërhyjë për të larguar deputetët e PD-së, duke e përshkallëzuar më tej situatën.
Berisha theksoi se rasti Balluku është simbol i asaj që ai e quan “regjim i vjedhjes me ligj”, ku korrupsioni, sipas tij, mbrohet nga pushteti politik.
“Kjo është arsyeja pse sot këta kanë frikë. Sepse për herë të parë drejtësia po troket në derën e pushtetit”, u shpreh Berisha.
Seanca vijoi mes tensioneve, thirrjeve dhe ndërprerjeve të njëpasnjëshme, ndërsa opozita paralajmëroi se aksioni i saj do të vazhdojë deri në arrestimin e personave të përfshirë në aferat korruptive dhe deri në fundin e asaj që e cilëson si “sistem vidh e ik”.
