Dhuna në shkolla vijon pavarësisht mbylljes së TikTok-ut! Ekspertët: Platforma u bë “kokë turku”, vendimi shmangu përgjegjësitë dhe u përdor si mjet censure zgjedhore

Data

Dhuna mes të miturve në Shqipëri vijon të mbetet një plagë e hapur, pavarësisht vendimit të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok në mars 2025. Vetëm gjatë tre javëve të para të dhjetorit 2025, janë regjistruar tre episode të rënda dhune pranë shkollave në Sarandë, Shkodër dhe Durrës, një prej të cilave me pasojë fatale humbjen e jetës së një nxënësi.

Këto zhvillime tregojnë qartë se ndalimi i TikTok-ut nuk solli uljen e dhunës, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin dhe qëllimin real të këtij vendimi.

“TikTok-u u fajësua për të dalë nga situata”

Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), i tha BIRN se mbyllja e rrjetit social nuk ishte zgjidhje, por një transferim i përgjegjësisë nga institucionet te teknologjia.

“Fajësojmë TikTok-un për të dalë nga situata. Kjo krijon një iluzion sigurie dhe i shërben narrativës se qeveria po vepron, pa adresuar shkaqet reale të dhunës,” u shpreh Bino.

Sipas saj, përballë një tragjedie si vrasja e një të riu në mjediset shkollore, mbyllja e një platforme sociale krijon vetëm perceptimin e reagimit, jo zgjidhjen e problemit.

Dyshime për censurë gjatë fushatës zgjedhore

Edhe Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës Qëndresa Qytetare, thekson se vendimi nuk e përmbushi objektivin e shpallur.

“Me shtimin e rasteve të dhunës në shkolla, u vërtetua se mbyllja e TikTok-ut ishte një masë pa ndikim real në parandalimin e dhunës mes të miturve,” tha Xhemollari për BIRN.

Ai ngriti gjithashtu dyshime se ndalimi i platformës pati më shumë efekt në kontrollin e përmbajtjeve elektorale, sesa në mbrojtjen e nxënësve.

Këtë shqetësim e ndan edhe Bino, e cila thekson se vendimi dëmtoi hapësirat demokratike të komunikimit gjatë fushatës zgjedhore 2025.

“Në mungesë të një analize të bazuar në evidencë, siguria e të rinjve u përdor si justifikim për një vendim që lë hapësira për qëllime të tjera,” nënvizoi ajo.

Dhuna nuk zgjidhet me ndalime teknologjike

Ekspertët bien dakord se dhuna mes të rinjve është një fenomen kompleks shoqëror, i lidhur me faktorë ekonomikë, familjarë, arsimorë dhe socialë, dhe nuk mund të trajtohet me masa të thjeshta ndaluese.

Qëndresa Qytetare i ka propozuar Ministrisë së Arsimit orarin 08:00–16:00 për shkollat publike, si një mënyrë për të mbajtur të miturit nën mbikëqyrje dhe për t’i larguar nga ndikimi i grupeve kriminale dhe drogës.

“Ky model krijon hapësira për sport, kulturë dhe zhvillim individual, duke reduktuar ekspozimin ndaj rrezikut,” tha Xhemollari.

Nga ana e saj, Bino thekson nevojën për një qasje sistemike, ku shkolla të funksionojë si qendër komunitare, me aktivitete edukuese dhe sportive pas mësimit, si dhe me forcim të rolit të psikologëve dhe mësuesve.

“Duhet investuar në marrëdhënien prind–mësues, në reagim të hershëm dhe në kapacitete profesionale brenda shkollave. Vetëm kështu mund të kemi një zgjidhje afatgjatë,” përfundoi ajo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related