Berisha: Rama nuk ikën pa u ngritur opozita, Balluku duhej arrestuar! Tenderët vendoseshin me telefon

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, duke deklaruar se largimi i qeverisë nuk do të vijë vetvetiu, por vetëm përmes përballjes dhe mobilizimit opozitar.

Sipas Berishës, pezullimi i Ballukut nga detyra është një masë e pamjaftueshme, ndërsa ajo duhej të ishte arrestuar për aferat korruptive që lidhen me tendera të mëdhenj publikë, përfshirë tunelin e Llogarasë.

“Nuk ikën ai po s’u ngritëm ne. Harrojeni! Kjo është prova jonë e guximit. Nuk ka më kthim pas”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi drejtpërdrejt Belinda Ballukun për përfshirje në skandale të rënda dhe deklaroi se kryeministri Rama ndodhet nën presionin e saj, për shkak të përgjimeve dhe mesazheve të përfshira në dosjen e SPAK.

“Ajo e ka kapur për fyti. I ka thënë ‘do të marr me vete’. Dhe ai po e mbron, sepse ka frikë. Masa e pezullimit është farsë. Duhej arrestim”, tha kreu i PD-së.

Berisha solli në vëmendje edhe precedentë të mëparshëm, duke krahasuar sjelljen e qeverisë aktuale me atë të viteve kur ai ishte në pushtet. Ai përmendi rastin e vitit 2011, kur Ilir Meta dha dorëheqjen dhe u paraqit si qytetar i thjeshtë në Prokurori, pa u mbrojtur nga pushteti.

“Meta nuk priti të fshihej pas karriges. Ky sot përdor gjithë shtetin për të mbrojtur një të pandehur”, u shpreh Berisha.

Kreu i selisë blu deklaroi se frika e Ramës lidhet me faktin se Balluku mund të implikojë edhe atë në hetime, duke përmendur konkretisht tenderin 97 milionë euro të tunelit të Llogarasë.

“Sot nxora vetëm një pjesë të vogël të dosjes. Mesazhe ku thuhet qartë: ‘Ia ka dhënë Rama’. Tenderët me telefon! Kjo është qeverisje kriminale”, theksoi ai.

Berisha denoncoi gjithashtu skemën e ndarjes së projekteve në lote për të rritur fondet, duke theksuar se vlera e tyre është shumëfishuar në mënyrë të paligjshme.

“Lotet nga 4 milionë euro u kthyen në 17 milionë. Ky është modeli i grabitjes. Jemi në emergjencë kombëtare dhe në provën më të madhe të opozitës”, deklaroi Berisha.

Në përfundim, ai bëri thirrje për mobilizim dhe sakrificë, duke paralajmëruar se përballja me qeverinë do të jetë e fortë dhe pa kompromis.

“Kjo betejë kërkon qëndresë dhe përballje. Nuk ka tërheqje. Nëse nuk ngrihemi ne, ai nuk ikën kurrë”, përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related