Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj, duke sqaruar se dosja me provat dhe përgjimet ndodhet e mbyllur në kasafortë dhe është e klasifikuar si “sekret hetimor”.
SPAK i dërgoi Kuvendit një ditë më parë kërkesën për autorizim arresti ndaj Ballukut, por materialet hetimore nuk u janë shpërndarë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Sipas njoftimit zyrtar, kjo bëhet për shkak të detyrimit ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor.
Kuvendi: Dosja ruhet në kasafortë, ndalohet publikimi
Në reagimin e tij, Kuvendi sqaron se materialet e dërguara nga SPAK janë të mbrojtura me urdhër të posaçëm të prokurorisë dhe ndodhen në kasafortën e dokumentacionit të klasifikuar.
“Materiali me karakter ‘sekret hetimor’ ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar”, thuhet në njoftim.
Sipas Kuvendit, urdhri i SPAK për ruajtjen e sekretit hetimor ndalon çdo publikim, shpërndarje apo kopjim të akteve, duke vendosur përgjegjësi penale për çdo shkelje të këtij detyrimi.
Diskutim vetëm në prani të SPAK
Kuvendi bën me dije se njohja dhe diskutimi i materialeve hetimore do të bëhet vetëm në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e cila do të zhvillohet të premten në orën 10:00, në prani të prokurorëve të SPAK-ut.
Administrata e Kuvendit ka vënë në dispozicion të anëtarëve të Këshillit vetëm aktet procedurale dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, duke theksuar detyrimin për respektimin e rreptë të ligjit.
Paralajmërim për deputetët
Në njoftim ritheksohet se të gjithë deputetët që janë vënë në dijeni për këtë çështje kanë detyrim ligjor të respektojnë sekretin hetimor, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe urdhrin e SPAK.
“Çdo shkelje e këtij detyrimi përbën përgjegjësi ligjore”, nënvizon Kuvendi.
Seancë vendimtare për Ballukun
Mbledhja e së premtes e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit pritet të jetë vendimtare për fatin politik dhe penal të Belinda Ballukut, pasi do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit, hap i domosdoshëm për caktimin e një mase më të ashpër sigurie, përfshirë arrestin në burg ose në shtëpi.
