“21 Janari” rikthehet në SPAK! Ilir Meta thirret për dëshmi të enjten – ish-Presidenti kërkoi vetë të flasë

Data

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, do të paraqitet këtë të enjte në orën 10:00 në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku do të merret në pyetje lidhur me ngjarjet e rënda të 21 janarit 2011.

Burime zyrtare konfirmojnë se dëshmia e Metës vjen pas një kërkese të drejtpërdrejtë të tij, drejtuar disa javë më parë SPAK-ut, ku shprehej i gatshëm të japë informacione që, sipas tij, mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të asaj dite tragjike.

“Duke qenë se kam dijeni dhe mund të jap dëshmi të vlefshme për rrethanat e asaj ngjarjeje, dëshmi që nuk janë të njohura nga organi procedues dhe që mund t’i shërbejnë zbardhjes së së vërtetës, jam në dispozicion të organit të procedurës në çdo moment”, thuhej në shkresën zyrtare të firmosur nga Ilir Meta.

Në paraburgim prej më shumë se një viti

Ilir Meta ndodhet prej më shumë se një viti në paraburgim, ndërsa përballet me disa akuza të ngritura nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Megjithatë, kjo është hera e parë që ai do të pyetet konkretisht për çështjen e 21 janarit, një nga ngjarjet më të rënda politike në Shqipëri, ku mbetën të vrarë katër protestues gjatë demonstratës përpara Kryeministrisë.

SPAK ka marrë në pyetje figurat kryesore

Në kuadër të rihapjes së hetimeve për 21 janarin, SPAK ka marrë më herët në pyetje edhe figura të tjera kyçe të politikës shqiptare, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-Presidentin Bamir Topi.

Dëshmia e Ilir Metës pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi, për shkak të rolit që ai mbante në atë kohë si zëvendëskryeministër dhe aleat politik i qeverisë.

Hetimet për 21 janarin vijojnë, ndërsa SPAK synon të zbardhë zinxhirin e përgjegjësive politike dhe institucionale për një nga plagët më të rënda të tranzicionit shqiptar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related