Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi mëngjesin e sotëm në Athinë një takim zyrtar me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në kuadër të ditës së dytë të vizitës së saj zyrtare në Greqi.
Në qendër të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dy vende anëtare të NATO-s, që kontribuojnë në mënyrë aktive në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, të Evropës dhe më gjerë. Gjatë diskutimeve u theksua edhe fakti se Shqipëria do të presë në vitin 2027 Samitin e NATO-s, një ngjarje me rëndësi të veçantë për rolin e vendit në Aleancën Atlantike.
Spiropali vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të bazuara në interesa të përbashkëta strategjike, duke theksuar se bashkëpunimi do të vijojë të thellohet përmes një agjende konkrete iniciativash që kanë në qendër qytetarët dhe sigurinë e përbashkët.
“Marrëdhëniet tona do të vijojnë të zhvillohen mbi interesa strategjike të përbashkëta dhe perspektivën evropiane që na bashkon,” u shpreh ministrja Spiropali.
Nga ana e tij, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, theksoi se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm dhe i përkushtuar në promovimin e vlerave demokratike, sigurisë dhe mbrojtjes evropiane.
Dendias nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin e shkëlqyer mes strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë të dy vendeve, nën ombrellën e NATO-s dhe në kuadër të iniciativave rajonale të mbrojtjes, duke vlerësuar rolin aktiv dhe domethënës të Shqipërisë në këto procese.
Takimi konfirmon angazhimin e Tiranës dhe Athinës për forcimin e partneritetit strategjik, në një moment kur siguria euroatlantike mbetet një nga sfidat kryesore globale.
