Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pasi SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, vetëm pak ditë pasi kjo e fundit u rikthye përkohësisht në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Balluku u rikthye në funksion pas vendimit të Kushtetueses, e cila pezulloi masën e mëparshme deri në shqyrtimin në themel të ankimimit të qeverisë, seancë e planifikuar për më 22 janar.
Në një reagim në rrjetin social X, Rama shkruan se pa u tharë ende boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prokurori i çështjes i është drejtuar Kuvendit për autorizim arrestimi, qoftë me burg apo me arrest shtëpie.
Kreu i qeverisë e cilëson praktikën e arrestit pa gjyq si një “modë të vrazhdë”, duke theksuar se Shqipëria është kthyer në një vend me më shumë të paraburgosur sesa të dënuar, situatë që sipas tij nuk përputhet me standardet demokratike evropiane dhe ka shqetësuar edhe Këshillin e Europës.
Megjithatë, Rama thekson se mazhoranca nuk do ta paragjykojë kërkesën e SPAK, por duke qenë se Kuvendit i kërkohet të shprehet me opinion, Partia Socialiste do të përgatisë një qëndrim zyrtar.
“Ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull nuk flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë. Ne do të angazhohemi me përgjegjësi të plotë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate dhe do të mbajmë një qëndrim të drejtë, të qartë dhe të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi,” shkruan Rama.
Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut i hap rrugë një procesi parlamentar, ku Kuvendi pritet të vendosë nëse do të autorizojë ose jo masën e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme.
