BIRN: SPAK zbulon grup të strukturuar kriminal në AKSHI, tetë persona nën akuzë për manipulim tenderash dhe dhunë

Data

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë goditur një grup të dyshuar kriminal që akuzohet se ka manipuluar tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përmes presionit, dhunës dhe pengmarrjes së rivalëve.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurimi për tetë persona, mes tyre drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, të cilat ndodhen nën masën “arrest në shtëpi”.

Sipas Prokurorisë, në qendër të skemës qëndrojnë Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, të akuzuar për krijimin dhe drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim fitimin e tenderave publikë të AKSHI-t. Të dy janë shpallur në kërkim, pasi masat e arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.

SPAK i akuzon Agasin dhe Beqirajn për:

  • konkurrencë të paligjshme përmes dhunës,
  • heqje të paligjshme të lirisë,
  • shkelje të barazisë në tendera,
  • grup të strukturuar kriminal,
  • pastrim të produkteve të veprës penale.

“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, të dyshuarit kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimimet, duke garantuar fitoren e subjekteve të paracaktuara,” thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Në skemë dyshohet të jetë përfshirë edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit është vendosur pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Po ashtu, biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta janë vënë nën masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Sipas SPAK, ata kanë marrë pjesë në skemë përmes faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në tendera, për të krijuar konkurrencë të rreme dhe për të justifikuar transfertat financiare.

AKSHI konsiderohet një nga institucionet më sensitive të shtetit, pasi administron sistemet kryesore të qeverisjes digjitale, përfshirë platformën e-Albania, si dhe të dhëna kritike të qytetarëve dhe institucioneve publike. Hetimet e SPAK ngrenë pikëpyetje serioze jo vetëm për abuzimin me fondet publike, por edhe për cënimin e sigurisë kombëtare, pasi informacionet strategjike dyshohet se janë vënë në dispozicion të një grupi kriminal.

Personat e përfshirë nuk janë emra të panjohur për opinionin publik. Ergys Agasi, biznesmen i njohur në sektorin e duhanit dhe i lidhur me sportin, është akuzuar më herët nga opozita për lidhje me krimin e organizuar, akuza që ai i ka mohuar. Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka përmendur Agasin publikisht si ndërmjetës mes grupeve kriminale dhe politikës.

Nga ana tjetër, Ermal Beqiraj ka qenë i përfshirë në disa episode të bujshme publike, përfshirë çështje që lidhen me sistemet tatimore dhe ekspertiza të përdorura në hetime të profilit të lartë politik. Sipas të dhënave të Open Spending Albania, kompanitë e tij kanë përfituar rreth 2.1 miliardë lekë nga tenderat e AKSHI-t.

I kontaktuar nga BIRN për këtë operacion, institucioni i Kryeministrisë nuk ka dhënë një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related