Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta gjatë një deklarate për mediat, duke pretenduar se Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri janë larguar nga Shqipëria dhe ndodhen aktualisht në Dubai.
Sipas Berishës, Ergys Agasi është arratisur prej të paktën tre javësh, ndërsa ai dhe Ermal Beqiri, sipas tij, po qëndrojnë në Dubai, larg hetimeve që po zhvillohen në Shqipëri për skandalin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kryedemokrati ka deklaruar se familjarë të Ergys Agasit kishin role kyçe në AKSHI, duke ndikuar drejtpërdrejt në proceset tenderuese. Sipas tij, motra e Agasit mban postin e drejtoreshës juridike në këtë institucion, çka, sipas pretendimeve të Berishës, ka shërbyer për të orientuar tenderat sipas interesave familjare.
Berisha ka ngritur gjithashtu akuza shumë të rënda në lidhje me kontrollin e të dhënave financiare, duke pretenduar se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kishin akses në transaksionet bankare të qytetarëve shqiptarë.
“Ergys Agasi ka të paktën tre javë që është arratisur. Ermal Beqiri ndodhet në Dubai, bashkë me të. Ata kontrollonin transaksionet e shqiptarëve përmes aparaturave që dispononin. Kishin akses në databazat e bankave dhe monitoronin lëvizjet financiare. Tenderat në AKSHI rregulloheshin sipas interesave familjare,” deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, paratë e përfituara nga tenderat e dyshuar korruptivë në AKSHI përdoreshin për pastrim parash përmes rrjeteve kriminale, duke përmendur bashkëpunim me grupe të njohura kriminale.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur SPAK ka vendosur masa sigurie për disa zyrtarë të AKSHI-t dhe biznesmenë, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe veprimtari të dyshuar kriminale.
Hetimet janë në vijim, ndërsa deri më tani autoritetet zyrtare nuk kanë reaguar mbi pretendimet për largimin jashtë vendit të personave të përmendur nga Berisha.
