Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është “më afër se kurrë”, pas disa ditësh negociata intensive mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe partnerëve evropianë.
Deklarata e Trump vjen pas ditës së dytë të bisedimeve të zhvilluara më 15 dhjetor në Berlin, ku zyrtarë amerikanë dhe ukrainas raportuan përparim të konsiderueshëm drejt një zgjidhjeje politike të konfliktit që ka nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
“Po përpiqemi ta finalizojmë. Besoj se jemi më afër tani,” u shpreh Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.
“Kemi zhvilluar disa biseda me presidentin Vladimir Putin dhe besoj se jemi më afër se kurrë. Tani do të shohim se çfarë mund të bëjmë”, shtoi ai, pa dhënë detaje të tjera mbi përmbajtjen e këtyre kontakteve.
Sipas burimeve diplomatike, Uashingtoni i ka ofruar Kievit garanci sigurie të ngjashme me modelin e Artikullit 5 të NATO-s, i cili parashikon mbrojtje kolektive në rast sulmi. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të funksiononte ky mekanizëm dhe për sa kohë do të ishte në fuqi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi procesin negociues si të vështirë, por produktiv. Ai konfirmoi se shefi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, ka shënuar “përparim real” gjatë takimeve me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pjesë e delegacionit amerikan.
“Këto bisedime nuk janë të lehta, por janë të dobishme dhe shumë konkrete,” tha Zelensky gjatë një forumi biznesor gjermano-ukrainas.
Çështja më e ndjeshme mbetet ajo territoriale, veçanërisht rajoni i Donjeckut. Zelensky theksoi se Ukraina nuk pranon heqjen dorë nga territoret që aktualisht i kontrollon dhe sugjeroi se çdo tërheqje duhet të jetë reciproke.
“Çështja territoriale është e dhimbshme. Ne e dimë saktësisht se çfarë kërkon Rusia dhe është e rëndësishme që SHBA të na ketë dëgjuar,” u shpreh ai.
Në anën tjetër, Moska vazhdon të insistojë në koncesione territoriale dhe kërkon që Ukraina të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se largimi nga NATO mbetet “kusht thelbësor” për çdo marrëveshje paqeje.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ky është momenti më premtues për paqe që nga nisja e luftës dhe vlerësoi rolin e SHBA-së në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.
Ndërkohë, një grup shtetesh të BE-së, së bashku me liderët evropianë dhe Zelenskyn, kanë mbështetur një plan që parashikon:
- një ushtri ukrainase prej 800 mijë trupash,
- një forcë shumëkombëshe të udhëhequr nga Evropa,
- dhe një mekanizëm monitorimi të drejtuar nga SHBA për zbatimin e një armëpushimi të mundshëm.
Lufta në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022, ka shkaktuar mijëra viktima dhe miliona të zhvendosur, ndërsa Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.
