Dogana bllokon aktivitetin e Bankers në Patos-Marinëz, kompania denoncon vendim të paligjshëm dhe paralajmëron rrezik për fushën naftëmbajtëse

Data

Kompania Bankers Petroleum Albania (BPAL) ka reaguar publikisht pas bllokimit të aktivitetit prodhues dhe financiar në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinëzës, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Sipas kompanisë, ky vendim është marrë në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me procedurat ligjore në fuqi.

Në një deklaratë për media, BPAL sqaron se Dogana ka ndërprerë operacionet duke pretenduar mospagesën e akcizës për holluesin e naftës, një produkt që, sipas kompanisë, nuk i nënshtrohet akcizës, pasi nuk konsumohet në territorin e Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e energjisë apo nxehtësisë. Kompania thekson se kjo praktikë është në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe direktivat e Bashkimit Evropian në fuqi që prej vitit 2012.

Sipas Bankers, bllokimi ka sjellë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik serioz për funksionimin e fushës naftëmbajtëse, si dhe për sigurinë e banorëve dhe pronave në zonë. Kompania paralajmëron se ndërprerja e prodhimit në këtë vendburim mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme, pasi nafta e Patos-Marinëzës është shumë viskoze dhe kërkon rrjedhje të pandërprerë për të shmangur ngurtësimin në tubacione dhe depozita.

Në reagim përmendet edhe qëndrimi i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), e cila, sipas BPAL, i ka kërkuar Doganave dhe Ministrisë së Financave që të shmangin ndërprerjen e operacioneve, duke theksuar se ndalimi i prodhimit rrezikon seriozisht integritetin teknik të vendburimit.

Bankers Petroleum Albania nënvizon se pasojat e këtij vendimi nuk prekin vetëm kompaninë, por edhe rreth 420 punonjës të saj, afro 5 mijë punonjës të kompanive nënkontraktore, si dhe rreth 1.300 punonjës të Albpetrol, aktiviteti i të cilëve varet drejtpërdrejt nga prodhimi i Patos-Marinëzës. Po ashtu, rrezikohen investime infrastrukturore në pronësi të shtetit shqiptar, përfshirë puse nafte, tubacione dhe impiante përpunimi.

Sipas kompanisë, çështja e akcizës për holluesin është objekt debati prej vitesh dhe aktualisht ndodhet në proces gjyqësor, pa një vendim të formës së prerë. BPAL shprehet se pavarësisht kësaj, Dogana ka vendosur masa shtrënguese, përfshirë detyrime financiare dhe gjoba të larta, duke vepruar pa pritur vendimin e gjykatës.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se ky zhvillim ka aktivizuar klauzolën e Forcës Madhore në Marrëveshjen e Hidrokarbureve të vitit 2004, për shkak të veprimeve qeveritare. Bankers bën të ditur se ka depozituar një kallëzim penal pranë SPAK kundër funksionarëve përgjegjës dhe u bën thirrje institucioneve që të tregojnë maturi deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimmarrjen e gjykatave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related