Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë protestat si e vetmja rrugë për krijimin e një qeverie teknike dhe rikthimin e votës së lirë, pavarësisht zhvillimeve të fundit para Kryeministrisë.
Prej disa javësh, Berisha zhvillon çdo të hënë fjalime publike para Kryeministrisë, ndërsa ditët e fundit në të njëjtin vend ka nisur protestën edhe Adriatik Lapaj, kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje nëse opozita do ta zhvendosë apo bashkojë protestën e saj me atë të Lapajt.
I pyetur nga gazetarët për këtë çështje, Berisha theksoi se foltorja e opozitës ka nisur javë më parë dhe se nuk bëhet fjalë për ndryshim vendndodhjeje. Ai vlerësoi gjithashtu iniciativën e Adriatik Lapajt, duke e cilësuar protestën e tij si një akt të drejtë dhe të guximshëm qytetar.
Berisha u shpreh se e mbështet protestën e Lapajt dhe se secili ka të drejtë të angazhohet maksimalisht në betejën e tij politike dhe qytetare. Sipas tij, protestat janë mjeti i vetëm për të kundërshtuar atë që ai e cilëson si kapje të shtetit dhe për të rikthyer standardet demokratike në vend.
Opozita ka paralajmëruar intensifikim të protestave në ditët në vijim, duke theksuar se presioni qytetar është rruga e vetme për ndryshim politik.
