“Nuk e votova Paketën Fiskale” – Braçe: Amendamenti im për rivlerësimin e pasurive u rrëzua, pallatet dhe shtëpitë mbeten jashtë procesit

Data

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar sërish lidhur me Paketën Fiskale të miratuar në seancën e fundit plenare të Kuvendit, duke sqaruar publikisht arsyet pse nuk votoi një pjesë të ligjeve që e përbëjnë atë.

Braçe theksoi se qëndrimi i tij lidhet konkretisht me ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, pasi amendamenti i propozuar prej tij nuk u mor parasysh. Sipas deputetit socialist, amendamenti synonte përfshirjen në proces të pasurive në legalizim, atyre të legalizuara apo të paregjistruara, kategori që sipas tij janë përjashtuar padrejtësisht nga ligji i ri.

“Kam qepur gojën deri tani, por dua të jem i qartë për qëndrimin tim ndaj Paketës Fiskale. Unë nuk votova një pjesë të ligjeve, konkretisht ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Arsyeja është e thjeshtë: nuk u mor parasysh amendamenti im për përfshirjen e shtëpive në proces legalizimi, të legalizuara apo të paregjistruara,” u shpreh Braçe.

Ai kujtoi se një proces i tillë është aplikuar edhe më parë, duke sjellë si shembull periudhën 2019–2022, kur ligji për rivlerësimin e pasurive kishte një nen të posaçëm që përfshinte pasuritë në proces legalizimi dhe regjistrimi. Sipas Braçes, edhe zgjatjet e mëvonshme të afatit ligjor kishin përfshirë këtë kategori pasurish.

“Vetëm këtë herë nuk u pranua, me justifikimin se Kadastra e ka të vështirë. Kush nuk bën punën, duhet të ikë, sepse kjo punë është bërë më parë,” tha ai, duke kritikuar drejtpërdrejt institucionin e Kadastrës.

Braçe paralajmëroi se pasojat e këtij vendimi janë konkrete për qytetarët, duke përmendur dhjetëra pallate në Njësinë 5 dhe qindra banesa në zonën e Selitës, të cilat tashmë mbeten jashtë procesit të rivlerësimit.

“Unë u votova për t’u shërbyer njerëzve. Për këtë arsye nuk votova kundër apo nuk mora pjesë në votimin e këtij ligji, pasi amendamenti im u rrëzua,” përfundoi deputeti socialist.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related