Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi pas paralajmërimit të Partisë Demokratike për bojkotimin e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, duke theksuar se opozita nuk mund t’i marrë peng këto procese.
Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Balla u shpreh se vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në punimet e komisioneve është i nxitur nga emocione momentale dhe jo nga përgjegjësia institucionale.
“Sot dua të jem i qartë me publikun dhe me kolegët e opozitës: kushte, kërcënime apo shantazhe ndaj Partisë Socialiste nuk ka. Me logjikën ‘ne ikim, nuk vijmë dhe votojmë’, secili duhet të shohë punën e vet dhe ne do të vazhdojmë punën tonë,” deklaroi Balla.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar sa i përket procesit të integrimit evropian, me synimin për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, dhe se interesat e vendit duhet të jenë mbi çdo urdhër apo kalkulim politik.
Balla ftoi opozitën për reflektim, duke shtuar se beson që pas festave të fundvitit do të rikthehen në tryezën e punës. “Ky është një vendim emocional i marrë në kushtet e javës së kaluar. Besoj se pas gjelit të detit dhe bakllavasë, në janar, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, do t’i kthehen punës,” u shpreh ai.
Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të PS paralajmëroi se nëse opozita vijon bojkotin dhe tenton të bllokojë komisionet, mazhoranca do të rishikojë marrëveshjen për përbërjen e tyre. “Nëse mendojnë se mund të marrin peng komisionet, gabohen. Pakica nuk mund ta bllokojë reformën dhe ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve,” përfundoi Balla.
