Berisha: Dumani po e mbyll mandatin me faqe të zezë, çështja ndaj meje është mashtrim dhe falsifikim deri në qiell

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, duke deklaruar se ai po e mbyll mandatin e tij “me faqe të zezë”. Berisha e cilësoi procesin penal ndaj tij si një histori të ndërtuar mbi mashtrim dhe falsifikim, duke theksuar se akuzat janë kontradiktore dhe të pabazuara në fakte.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha tha se disponon prova të plota për pasuri të fshehura të Altin Dumanit dhe theksoi se me një rrogë shteti është e pamundur të zotërohen disa apartamente pa burime të tjera financiare.

“Jap garanci para çdo shqiptari se asnjë rrogëtar i këtij shteti, përfshirë presidentin dhe kryeministrin, nuk mund të bëhet me katër apartamente vetëm me rrogën e shtetit”, u shpreh ai.

Berisha hodhi poshtë akuzat për favorizim familjar, duke i quajtur të fabrikuara dhe të ndryshuara disa herë, pasi – sipas tij – faktet nuk i kanë mbështetur. Ai tha se fillimisht është pretenduar se ka marrë vendime për të favorizuar dhëndrin, ndërsa më pas narrativa ka ndryshuar në “përfitim nga vendimet”, pasi u provua se përfitimi real ishte vetëm 64 euro.

Ish-kryeministri foli edhe për çështjen e ndryshimit të destinacionit të pronave, duke deklaruar se përgjegjësia për këto vendime i takon kryeministrit Edi Rama dhe jo atij. Sipas Berishës, Rama ka firmosur dhjetëra vendime nominale për përfitime të ndryshme, ndërsa ai vetë ka vetëm një firmë të tillë në gjithë karrierën e tij, e lidhur me dhurimin e një banese për shkrimtarin Ismail Kadare.

Berisha theksoi se i është nënshtruar një “vetingu të plotë” nga kundërshtarët e tij politikë dhe se rezultatet kanë treguar se pasuria e tij përbëhet vetëm nga një apartament pak më i madh se ai i periudhës së diktaturës dhe rreth 100 mijë euro kursime për 54 vite punë, bashkë me bashkëshorten.

Ai i quajti absurde akuzat që, sipas tij, janë ngritur si korrupsion, përfshirë pushime të paguara nga vajza e tij, shpenzime mjekësore familjare apo pagesa për fëmijë në nevojë.

“Në historinë e botës nuk ka ndodhur që këto gjëra të konsiderohen korrupsion”, tha Berisha.

Në përfundim, kreu i PD-së deklaroi se kjo është një betejë në vazhdim dhe se ai nuk po mbron asgjë tjetër përveç pluralizmit politik, duke akuzuar drejtësinë se po përdoret si mjet politik në një vit elektoral.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related