Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar zyrtarisht pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili pretendoi se hetues të BKH-së kishin hyrë në Kryeministri duke mos respektuar rregullat e sigurisë dhe se kishte pasur përplasje me punonjësit e Gardës së Republikës.
Në një sqarim të detajuar, BKH hedh poshtë kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë debat apo konflikt mes hetuesve dhe Gardës së Republikës, si dhe se çdo veprim është kryer në përputhje me rregullat në fuqi.
Sipas njoftimit, më 20 nëntor 2025, tre hetues të BKH-së janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme, që parashikonte pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në hyrje të institucionit, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme nuk lejohet, sipas protokolleve të sigurisë. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën e depozitimit të armëve dhe është orientuar që ato të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, të vendosur në hyrje.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë dorëzuar armët dhe kanë vijuar normalisht kryerjen e detyrës, pa asnjë incident.
BKH thekson se e drejta e hetuesve për të mbajtur armë zjarri parashikohet qartë në ligjin nr. 25/2019 për Policinë Gjyqësore, por kjo e drejtë është ushtruar gjithmonë në respekt të rregullave të sigurisë së institucioneve ku ata veprojnë.
“Në asnjë moment nuk ka pasur debat, përplasje apo mosbindje ndaj Gardës së Republikës”, përfundon reagimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke e cilësuar deklaratën e kryeministrit si të pavërtetë dhe të pasaktë.
