PD thërret Këshillin Kombëtar: Mbledhja më 17 dhjetor, fokusi te situata politike dhe protesta e 22 dhjetorit

Data

Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar më 17 dhjetor, në orën 17:00, në kuadër të përgatitjeve politike dhe organizative për protestën e paralajmëruar të 22 dhjetorit.

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së të zhvilluar një ditë më parë, ku diskutimet u përqendruan në situatën politike në vend, qëndrimet e opozitës dhe strategjinë për aksionin protestues të radhës.

Burime nga selia blu bëjnë me dije se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar pritet të diskutohen:

  • zhvillimet e fundit politike,
  • vendimet e institucioneve të drejtësisë,
  • roli i opozitës në raport me mazhorancën,
  • si dhe organizimi i protestës së 22 dhjetorit.

Debate në Kryesi, Berisha mohon përçarjen

Mbledhja e Kryesisë së PD-së është shoqëruar me debate të forta, veçanërisht mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit. Megjithatë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mohuar çdo përçarje brenda forcës politike që ai drejton.

Në një reagim publik, Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbetet e bashkuar në misionin e saj dhe akuzoi disa individë që, sipas tij, “bëjnë zhurmë në favor të qeverisë”.

“Mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive. Nuk ka përçarje. Ka disa të quajtur demokratë që pas zgjedhjeve u punësuan në administratë, të tjerë që flirtojnë me qeverinë për interesa personale. Por Partia Demokratike ka vetëm një kontratë: atë me qytetarët shqiptarë, për lirinë, demokracinë dhe rikthimin e votës së lirë”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD nuk do të qëndrojë për interesa individuale apo kontrata personale dhe e cilësoi këtë periudhë si “kohë misionarësh”, duke paralajmëruar intensifikim të aksionit opozitar në ditët në vijim.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar pritet të shërbejë si një moment kyç për formalizimin e vendimeve politike dhe për mobilizimin e strukturave për protestën e 22 dhjetorit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related