SHBA hoqi sanksionet/ Bjellorusia liron 123 të burgosur politikë, mes tyre fituesi i Nobelit për Paqe dhe figura kyçe të opozitës

Data

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka liruar të shtunën 123 të burgosur politikë, përfshirë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, dhe një nga figurat më të njohura të opozitës, Maria Kalesnikava, pas bisedimeve dyditore me një të dërguar të presidentit amerikan Donald Trump, bëri të ditur Uashingtoni.

Në këmbim të këtij hapi, Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të heqin sanksionet ndaj potasit bjellorus, një përbërës kyç për prodhimin e plehrave bujqësore. Bjellorusia, ish-shtet sovjetik, është një nga prodhuesit më të mëdhenj të potasit në botë.

Ky është numri më i madh i të burgosurve politikë të liruar deri më tani, që nga nisja e kontakteve diplomatike mes administratës së Trump dhe Lukashenkos gjatë këtij viti. Presidenti bjellorus konsiderohet aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

Ales Bialiatski, bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2022, është një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, i cili për vite me radhë ka mbrojtur të burgosurit politikë në Bjellorusi, përpara se të arrestohej vetë në korrik të vitit 2021.

Mes të liruarve janë gjithashtu Maria Kalesnikava, udhëheqëse e protestave masive kundër regjimit të Lukashenkos në vitin 2020, si dhe Viktar Babaryka, i arrestuar po atë vit teksa përgatitej të kandidonte kundër presidentit në zgjedhje.

Zyrtarë amerikanë i kanë thënë agjencisë Reuters se angazhimi me Lukashenkon është pjesë e një strategjie për ta distancuar atë, të paktën pjesërisht, nga ndikimi i Moskës.

I dërguari i posaçëm i presidentit Trump për Bjellorusinë, John Coale, deklaroi më herët në Minsk:

“Sipas udhëzimeve të presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara do të heqin sanksionet ndaj potasit.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related