Një ngjarje tragjike është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Libofshë, në rrethin e Fierit, ku një fermer ka humbur jetën gjatë punës në tokën e tij bujqësore.
Viktima është identifikuar si Xhorxhi Prifti, 62 vjeç, i cili po punonte parcelën e tij me mjet bujqësor (zetor), kur dyshohet se mjeti është përmbysur, duke e zënë poshtë dhe duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sipas burimeve nga vendngjarja, familjarët janë alarmuar pasi 62-vjeçari nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike. Ata kanë shkuar drejt parcelës së tokës, ku e kanë gjetur të afërmin e tyre pa shenja jete.
Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti fatal.
Njoftimi i Policisë
Fier/Informacion paraprak
Në datë 14.12.2025, në fshatin Libofshë, shtetasi Xh. P., 62 vjeç, duke punuar tokën me mjet bujqësor (zetor), dyshohet se mjeti është përmbysur dhe e ka zënë poshtë, duke i shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.
