Ervin Salianji, ish-deputet demokrat dhe një figurë e njohur për lëvizjet e tij kritike ndaj Sali Berishës, tha sot se rruga e duhur për opozitën është përmes revoltave dhe protestave, jo Foltoreve para Kryeministrisë.
Duke iu përgjigjur gazetarëve para mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Salianji theksoi rëndësinë e dëgjimit të shqetësimeve të demokratëve dhe përkthimit të tyre në energji për protesta.
“Si përfaqësues të PD, duhet të dëgjojmë çdo shqetësim të demokratëve. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të jetë shumë e vështirë të organizojmë protesta efektive. Rruga e duhur pas daljes nga qelia janë revoltat dhe jo foltoret para Kryeministrisë,” tha Salianji, duke theksuar se gjithmonë ka respektuar vendimet e partisë, por nuk heq dorë nga ideja e mobilizimit të bazës për përballje aktive.
Ai shtoi se, nëse situata kërkon veprime më të drejtpërdrejta, ai është i gatshëm të ndjekë këtë rrugë brenda kuadrit të vendimeve të partisë.
