Kushtetuesja pezulloi vendimin e GJKKO-së, Bushati: SPAK duhet të kërkojë heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend

Data

Gazetari Andi Bushati, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vendimit të GJKKO-së ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, deklaroi se SPAK duhet të ndërmarrë hapin e radhës dhe t’i drejtohet Kuvendit për heqjen e imunitetit të saj.

Në një intervistë për SYRI TV, Bushati u shpreh se Prokuroria e Posaçme, nëse i qëndron bindjes së saj se Balluku përbën rrezik për ushtrimin e detyrës, duhet që që nga e hëna t’i dërgojë Parlamentit kërkesën për heqjen e imunitetit.

“Nëse prokurori beson apo ka bindjen se është e rrezikshme që Belinda Balluku të qëndrojë në poltronin e ministres, veprimi i detyrueshëm është kërkesa për heqjen e imunitetit. Nuk ka rrugë tjetër”, tha Bushati.

Sipas tij, vendimi i Kushtetueses e detyron SPAK-un të provojë realisht pavarësinë e tij, duke ia lënë në dorë mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama përgjegjësinë politike për të votuar ose jo heqjen e imunitetit.

“SPAK-u duhet t’ia lërë në dorë Ramës dhe mazhorancës që ta rimbledhin Partinë Socialiste, ashtu siç e mblodhën për çështjen e inceneratorëve, për të votuar kundër ose pro heqjes së imunitetit të Ballukut”, u shpreh gazetari.

Bushati theksoi se, nëse SPAK nuk e bën këtë hap, atëherë do të rezultojë se ka ndryshuar qëndrim ose nuk i qëndron më bindjes së tij fillestare për rrezikshmërinë e qëndrimit të Ballukut në detyrë.

Duke komentuar edhe drejtuesin e ri të SPAK-ut, Klodian Braho, Bushati u shpreh skeptik se do të ketë ndryshim real në raport me kryeministrin.

“Pavarësisht se u promovua si një figurë e mbështetur nga aleatët perëndimorë, në dosjet konkrete Braho ka mbyllur çështje të rënda që lidhen me Edi Ramën, si dosja e Dibrës dhe ajo e inceneratorëve. Nuk besoj se SPAK-u i tij do të jetë një kërcënim real për Ramën”, tha Bushati.

Sipas gazetarit, zhvillimet e fundit tregojnë se Rama ushtron ndikim si mbi SPAK-un ashtu edhe mbi Gjykatën Kushtetuese, duke e bërë vendimin për Ballukun një provë të madhe për drejtësinë e re.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related