U paraqit në SPAK për 21 Janarin, Bamir Topi: Drejtësia do t’i gjejë të vërtetat, politika është fshehur 15 vite pas hipokrizisë

Data

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili u paraqit disa ditë më parë në SPAK në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 21 Janarit, ka deklaruar se ka besim se drejtësia do të zbardhë të vërtetat e plota për një nga episodet më të rënda të historisë politike shqiptare.

Topi theksoi se situata aktuale është ndryshe nga ajo e viteve të mëparshme, pasi drejtësia po vepron dhe po thërret për përgjegjësi personat që kanë pasur role drejtuese në atë periudhë.

“Nisur nga eksperienca ime, duket se sot situata është ndryshe. Njerëzit që kanë drejtuar në atë periudhë janë thirrur dhe po thirren. Hetimi i 21 janarit po shkon ashtu siç është parashikuar. E ndjej dhe kam besim se drejtësia do të hetojë për të gjetur të vërtetat”, u shpreh ish-presidenti.

Kritika ndaj politikës dhe PS-së

Bamir Topi theksoi se problemi kryesor ndër vite nuk ka qenë drejtësia, por politika, duke akuzuar veçanërisht Partinë Socialiste, sot në pushtet, për hipokrizi dhe mungesë vullneti politik për ta rikthyer realisht çështjen e 21 Janarit në vëmendje.

“Janë 15 vite dhe ata që sot janë në pushtet nuk morën qoftë edhe një minutë për t’iu rikthyer seriozisht 21 janarit. Politika është fshehur pas hipokrizisë”, deklaroi Topi.

Komisioni hetimor pa raport final

Ish-presidenti kujtoi edhe komisionin hetimor parlamentar të ngritur në janar 2011, për të cilin tha se ishte i vetmi komision që u shty dy herë në mandat, por nuk prodhoi kurrë një raport përfundimtar.

Ai foli për një angazhim të tepruar dhe “deri në patologji” nga pala që e ngriti komisionin, ndërsa nga ana tjetër, sipas tij, pati mungesë totale angazhimi nga përfaqësuesit e protestuesve të 21 janarit.

“Kam parë një angazhim të ethshëm nga ata që ngritën komisionin dhe një mungesë absolute të angazhimit nga ata që organizuan protestën. Ky është një fakt që duhet thënë”, theksoi Topi.

Thirrje për përgjegjësi politike

Në deklaratën e tij, Bamir Topi u shpreh se politikanët kanë shfrytëzuar viktimat dhe të plagosurit për interesa politike, pa marrë asnjëherë përgjegjësi reale.

“Këta politikanë furbo marrin angazhime, çojnë njerëz që ranë viktimë, të tjerë që u plagosën, dhe më pas fshihen. Së paku politikisht, dilni nga hipokrizia. Vendosni lulet, por bëni edhe detyrën tuaj si politikanë”, tha ish-presidenti.

Topi theksoi se 21 Janari kishte dy palë, por nënvizoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në hetimin penal, për të cilin tha se ka respekt të plotë dhe se tashmë i takon drejtësisë ta çojë deri në fund.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related