Rusia nuk është aspak pro një armëpushimi të lirë për të ngrirë luftën në Ukrainë, përkundrazi Moska dëshiron një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për një paqe afatgjatë që do të garantonte sigurinë e Rusisë dhe fqinjëve të saj, tha Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. “Armëpushimi është një rrugë drejt askund”, tha Lavrov, duke shtuar se Moska beson se Perëndimi do të përfitonte nga një armëpushim i lirë për të armatosur më tej Ukrainën.
“Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare ligjore që do të forcojnë të gjitha kushtet për të garantuar sigurinë e Federatës Ruse dhe, natyrisht, interesat legjitime të sigurisë të fqinjëve tanë,” tha Lavrov. Ai shtoi se Moska dëshiron që dokumentet ligjore të hartohen në atë mënyrë që të sigurohet “pamundësia e shkeljes së këtyre marrëveshjeve”.
Negociatat
Reuters njoftoi muajin e kaluar se presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për negociata për një armëpushim në Ukrainë me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump , por se ai përjashton mundësinë e ndonjë lëshimi të madh territorial dhe këmbëngul që Kievi të heqë dorë nga aspiratat e tij për anëtarësim në NATO. Putin tha javën e kaluar se është i gatshëm të bëjë kompromis për Ukrainën në bisedimet e mundshme me Trump për përfundimin e luftës dhe se nuk ka parakushte për hapjen e negociatave me autoritetet ukrainase.
“Rusia është e gatshme të punojë me administratën e re të Donald Trump për të përmirësuar marrëdhëniet nëse SHBA-ja ka synime serioze, por i takon Uashingtonit që të ndërmarrë hapin e parë”, tha Lavrov. Presidenti rus tha se konflikti është i ndërlikuar, kështu që “është e vështirë dhe e pakuptimtë të spekulohet për të ardhmen, (por) ne po shkojmë drejt zgjidhjes së detyrave tona fillestare, të cilat i vendosëm në fillim të operacionit special ushtarak”.
Anëtarësimi në NATO
Vladimir Putin vetë tha se “po përpiqet t’i japë fund konfliktit “. Fjalë vendimtare dhe pajtuese të cilat, megjithatë, ende nuk korrespondojnë me veprimet në fushë. Por presidenti rus zgjedh të ngatërrojë kartat edhe një herë, duke zbuluar një detaj të rëndësishëm në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Sipas tij, ishte viti 2021 kur presidenti amerikan Joe Biden i propozoi që të shtynte pranimin e Kievit në Traktatin e Atlantikut.
Kjo është bërë e ditur nga agjencia Tass . “Nuk e di se çfarë thonë tani në ekipin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, e di që presidenti aktual Biden më tha për këtë në vitin 202”, tha kreu i Kremlinit në një konferencë shtypi. “Bidenpropozoi saktësisht që të shtyhej me 10-15 vjet që Ukraina të anëtarësohej në NATO, sepse nuk ishte ende gati. Unë thashë me arsye po, nuk është gati sot,” shtoi ai. Moska dhe Uashingtoni shpesh kanë dhënë versione kontradiktore të takimeve dhe lëvizjeve të kaluara.
