Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të premte rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zëvendëskryeministre, duke pranuar për shqyrtim ankimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin e saj nga funksioni publik.
Vendimi i Kushtetueses ka efekt të përkohshëm, pasi çështja do të shqyrtohet në themel në një seancë publike më 22 janar. Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për procedurat e tenderit të Tunelit të Llogarasë dhe ndodhet gjithashtu nën hetim për Lotin 4 të Unazës së Madhe.
Sipas gazetares Klodiana Lala, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ndikon në vijimin e hetimeve penale nga Prokuroria e Posaçme. Ajo thekson se SPAK mbetet i lirë të ndërmarrë hapa të tjerë procedurialë, nëse siguron prova të reja që rëndojnë pozitën penale të Ballukut.
“Ligji parashikon që nëse SPAK gjatë kësaj kohe siguron prova të reja, mund t’i drejtohet Kuvendit dhe Komisionit të Mandateve për të kërkuar autorizim për masa më të ashpra sigurie,” shpjegoi Lala.
Sipas saj, për masa si arrest shtëpie, kontroll personal apo arrest me burg, kërkohet patjetër autorizim nga Kuvendi, për shkak të imunitetit që gëzon një anëtar i Këshillit të Ministrave. Deri tani, SPAK nuk ka bërë publik asnjë qëndrim zyrtar mbi hapat e radhës pas vendimit të Kushtetueses.
Mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Posaçme do të kërkojë masa të tjera sigurie ndaj Ballukut dhe cili do të jetë vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese në seancën e 22 janarit, e cila pritet të krijojë një precedent të rëndësishëm për raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
