Kushtetuesja pranon ankimin e qeverisë për Ballukun: Me 5 vota pro kalon çështjen për shqyrtim në themel

Data

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë për shqyrtim ankimin e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Burime nga Gjykata Kushtetuese bëjnë me dije se vendimi për kalimin e çështjes në seancë është marrë me 5 vota pro dhe 3 kundër. Me këtë shumicë, Kushtetuesja ka vendosur që të shqyrtojë në themel konfliktin e pretenduar të kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe GJKKO-së.

Pas këtij vendimi, çështja do të kalojë në një seancë të posaçme, ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vlerësojnë nëse pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut ka qenë ose jo në tejkalim të kompetencave kushtetuese të Gjykatës së Posaçme.

Ankimi është depozituar nga kryeministri Edi Rama, i cili ka argumentuar se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e një anëtareje të qeverisë përbën ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv. Sipas qëndrimit të qeverisë, një ministër gëzon imunitetin e deputetit dhe për sa kohë Kushtetuta nuk lejon pezullimin nga detyra të një deputeti me vendim gjyqësor, një masë e tillë nuk mund të aplikohet as ndaj një ministri.

Ndërkohë, kryeministri Rama nuk e shkarkoi Ballukun pas vendimit të GJKKO-së, por i hoqi të drejtën e firmës dhe zgjodhi t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit institucional. Qeveria nuk ka ankimuar masën tjetër të sigurisë që ndalon daljen jashtë shtetit për Ballukun.

Nga ana tjetër, procesi penal ndaj zv.kryeministres vijon. GJKKO ka caktuar masën e pezullimit nga detyra pas hetimeve të SPAK, i cili e akuzon Ballukun për abuzime në procedurat e tenderit të tunelit të Llogorasë, me një vlerë rreth 50 milionë euro, si dhe për paracaktim fituesi në tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe.

Paralelisht, në Gjykatën e Posaçme të Apelit, gjyqtarja Miliana Muça do të shqyrtojë ankimin e masave të sigurisë për Belinda Ballukun dhe dy vartësit e saj, drejtorin e KESH Erald Elezi dhe drejtorin e ARRSH Gentian Gjyli. Të tre janë nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe procedura të tjera prokurimi.

SPAK ka bërë të ditur se hetimet për Ballukun dhe bashkëpunëtorët e saj janë ende në zhvillim dhe përfshijnë edhe procedura të tjera përtej atyre tashmë të bëra publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related