Rrjeti për Gazetarë të Sigurt në Ballkanin Perëndimor (SafeJournalists) ka dënuar ashpër kërcënimet e bëra online ndaj gazetarit të News24, Osman Stafa, i cili ka marrë një mesazh kërcënues nga një profil anonim në rrjetin social Instagram.
Sipas reagimit zyrtar të SafeJournalists, kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me raportimet dhe denoncimet e vazhdueshme të gazetarit Stafa mbi kushtet dhe mungesat serioze të shërbimeve shëndetësore në Spitalin Onkologjik të Tiranës, veçanërisht për pacientët me sëmundje kancerogjene.
“Rrjeti SafeJournalists dënon mesazhin kërcënues të dërguar ndaj gazetarit shqiptar Osman Stafa më 11 dhjetor 2025, pas raportimeve të tij mbi kushtet dhe mangësitë e shërbimeve në Spitalin Onkologjik të Tiranës”, thuhet në deklaratën e rrjetit.
Mesazhi anonim, i shkruar me gjuhë vulgare dhe agresive, e paralajmëronte gazetarin që të mos kthehej më në Spitalin Onkologjik, në një përpjekje të qartë për ta frikësuar dhe për ta penguar në ushtrimin e profesionit të tij.
SafeJournalists thekson se Osman Stafa prej vitesh ka qenë aktiv në denoncimin e mungesës së ilaçeve, trajtimeve dhe pajisjeve jetike për pacientët me kancer, duke e bërë punën e tij një kontribut të rëndësishëm në interes të publikut.
Rrjeti u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare, në veçanti Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, që ky rast të trajtohet me prioritet maksimal, autorët të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës sipas ligjit.
“Çdo kërcënim ndaj gazetarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar”, thekson më tej SafeJournalists.
