Barometri i Ballkanit 2025: Çmimet e larta shqetësimi kryesor i shqiptarëve, niveli më i lartë në Rajon

Data

Çmimet e larta dhe inflacioni mbeten problemi më i madh ekonomik për qytetarët shqiptarë, sipas Barometrit të Ballkanit 2025, publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (KRB). Sipas të dhënave, 72% e shqiptarëve e rendisin rritjen e çmimeve si shqetësimin kryesor, duke shënuar nivelin më të lartë në Rajon, menjëherë pas Kosovës ku kjo shifër arrin në 77%.

Në nivel rajonal, rritja e çmimeve dhe inflacioni kryesojnë listën e shqetësimeve publike në vitin 2025, të përmendura nga 66% e të anketuarve, një rritje e lehtë krahasuar me vitin 2024 (64%). Situata e përgjithshme ekonomike renditet si shqetësimi i dytë me 44%, ndërsa korrupsioni mbetet një sfidë e rëndësishme, i identifikuar nga 35% e qytetarëve.

Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi europian

Sondazhi tregon se qytetarët në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6) vazhdojnë ta shohin bashkëpunimin rajonal si një faktor kyç për progresin. Pothuajse gjysma e të anketuarve deklarojnë se u kushtojnë më shumë rëndësi gjërave që i bashkojnë vendet e rajonit sesa atyre që i ndajnë.

Mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ka shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 64% në vitin 2025, nga 54% në vitin 2024. Shqipëria kryeson me 86% mbështetje, e ndjekur nga Kosova me 78%. Ky është niveli më i lartë i mbështetjes për BE-në në një dekadë.

Gjithashtu, pritshmëritë për anëtarësim janë bërë më optimiste: 26% e qytetarëve besojnë se integrimi mund të ndodhë deri në vitin 2030, ndërsa 25% presin që ai të realizohet deri në vitin 2035.

Digjitalizimi dhe perceptimet publike

Në vitin 2025, qytetarët e BP6 raportojnë rritje të përdorimit të shërbimeve digjitale. Blerjet online (44%) dhe shërbimet bankare online (37%) janë ndër më të përdorurat. Ndërkohë, përdorimi i inteligjencës artificiale është pothuajse trefishuar, duke arritur në 29%, krahasuar me vetëm 10% një vit më parë.

Shqetësimi për krimet kibernetike dhe sigurinë e pagesave online ka rënë, duke treguar një rritje të besimit në mjetet digjitale.

Besimi në institucione dhe shqetësimet e të rinjve

Në nivel institucional, qytetarët shprehin më shumë besim te organizatat fetare (69%), forcat e armatosura (62%) dhe Bashkimi Evropian (60%). Ndërkohë, partitë politike, parlamentet dhe rrjetet sociale mbeten institucionet me nivelin më të lartë të mosbesimit.

Të rinjtë (18–24 vjeç) vazhdojnë të shohin anëtarësimin në BE si një mundësi pozitive për ekonominë, me 71% që e vlerësojnë atë si të mirë. Për këtë grupmoshë, sfidat kryesore mbeten çmimet e larta, situata ekonomike, korrupsioni, por edhe emigrimi i të rinjve dhe cilësia e arsimit.

Barometri i Ballkanit 2025 konfirmon se, pavarësisht optimizmit për integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal, kostoja e jetesës mbetet sfida më e mprehtë për qytetarët shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related