Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta lidhur me atë që ai e cilëson si biseda të zhvilluara brenda selisë së Partisë Socialiste, pas komunikimit të akuzave nga SPAK ndaj Belinda Ballukut.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se një ditë pas njoftimit të akuzave, Balluku i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të mbledhë urgjentisht kryesinë e PS-së dhe qeverinë në selinë rozë.
“Të nesërmen ajo i kërkoi Ramës të mbledhë në selinë e PS kryesinë dhe qeverinë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, në këtë mbledhje rolin kryesor nuk e ka pasur kryeministri, por vetë Balluku, e cila – sipas Berishës – ka marrë frenat e takimit dhe ka kërcënuar ministrat socialistë.
“Në atë mbledhje, violinë e parë nuk ka qenë Rama, por Lubia. Ajo i kërcëlliti dhëmbët secilit me fjalën ‘guxoni’”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati pretendoi se ministrat nisën të fshinin statuset, pëlqimet dhe shpërndarjet në rrjetet sociale lidhur me Ballukun, gjë që sipas tij e shqetësoi zv.kryeministren e pezulluar.
“E kuptoi se nga fshirja do kalonin te komentet negative dhe u tha: ‘I pari që do të flasë, do ta marr me vete’”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se Balluku, sipas tij, ka treguar me gisht disa ministra gjatë mbledhjes, duke përfshirë edhe Ogerta Manastirliun, për të cilën tha se i kishte shkuar ndërmend si zëvendësuese, si dhe ministra të tjerë që, sipas Berishës, janë përzgjedhur prej vetë saj.
Berisha tha gjithashtu se pas fjalës së Ballukut, kryeministri Rama ka tentuar të minimizojë situatën duke deklaruar se SPAK është kundër PS-së dhe se sulmi, sipas tij, ishte personalisht ndaj Ramës.
“Çdo gjë thoshte Rama e kanë me mua, por në atë mbledhje frenat i kishte marrë Lubia”, përfundoi Berisha.
