“U rrëmbye edhe institucioni i fundit” – Berisha: PS vendosi Endrit Shabanin Avokat të Popullit, refuzoi çdo kandidaturë të PD-së

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Endrit Shabanit në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, proces i realizuar vetëm me votat e Partisë Socialiste.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi këtë vendim si “rrëmbimin e institucionit të fundit të pavarur”, duke theksuar se maxhoranca ka përmbysur një proces konsensual të ndërtuar ndër vite.

Sipas tij, zgjedhja e Avokatit të Popullit ka qenë tradicionalisht një proces delikat që kërkonte dakordësi mes palëve, por kjo praktikë u shkel me forcë nga mazhoranca socialiste.

“Një proces i instaluar prej shumë vitesh u përmbys dje duke rrëmbyer edhe institucionin e fundit. Ky institucion kishte mbetur gjysmë konsensual, pasi zonja Ballanca kishte qenë një kandidaturë e pranuar nga të dyja palët. Por dje u shkel gjithçka”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së akuzoi PS-në se refuzoi në mënyrë kategorike çdo kandidaturë të propozuar apo mbështetur nga Partia Demokratike, përfshirë emra si Besim Ndregjoni dhe Adriana Kalaja, duke imponuar kandidatin e saj.

“Refuzuan çdo kandidaturë të PD-së dhe grabitën opozitën që donin në kundërshtim, duke i futur një thikë të madhe një procesi delikat dhe të vështirë. Ky veprim dëshmon se Edi Rama është i gatshëm të shkelmojë çdo standard demokratik”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se ky vendim është pjesë e një skeme më të gjerë për kapjen e institucioneve të pavarura, duke përmendur edhe proceset e tjera institucionale, ku sipas tij, është ushtruar presion politik.

Berisha u ndal edhe te zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, duke lënë të kuptohet se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar ka qenë e nevojshme për të frenuar ndikimin e qeverisë në disa raste.

Sipas tij, zgjedhja e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit me votat e njëanshme të PS-së përbën një goditje të rëndë ndaj parimit të balancës së pushteteve dhe rolit mbikëqyrës të këtij institucioni ndaj qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related