Pas një seance maratonë që zgjati deri pas mesnatës, Kuvendi miratoi me 81 vota pro buxhetin e shtetit për vitin 2026, i cili kap vlerën 886.7 miliardë lekë, ose rreth 8.8 miliardë euro.
Sipas projektligjit të miratuar, të ardhurat buxhetore parashikohet të arrijnë në 8.2 miliardë euro, nga 7.7 miliardë euro që janë aktualisht, një rritje që pritet të mbështetet kryesisht nga zhvillimi ekonomik, vijimi i turizmit dhe përmirësimi i administrimit fiskal.
Borxhi dhe rritja ekonomike
Për vitin 2026, borxhi publik parashikohet të arrijë në 14.9 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro që ishte parashikimi për vitin aktual. Ndërkohë, rritja ekonomike projektohet në nivelin 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe sektori i ndërtimit.
Pensionet dhe paga minimale
Buxheti i ri parashikon një formulë të re për rritjen e pensioneve, e cila përfshin bonuse mujore për pensionistët. Për këtë qëllim:
- 100 milionë euro janë parashikuar për bonuset mujore
- 16.5 milionë euro për indeksimin e pensioneve
Gjithashtu, nga 1 janari 2026, paga minimale rritet nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, ndërsa pagat e administratës publike do të indeksohen me 2.5%.
Investimet publike dhe shëndetësia
Për vitin e ardhshëm, investimet publike janë planifikuar të arrijnë në rreth 1.8 miliardë euro, nga 1.6 miliardë euro që ishin planifikuar për vitin aktual.
Në sektorin e shëndetësisë:
- 13.5 miliardë lekë janë parashikuar për kompensimin e medikamenteve
- 1.5 miliardë lekë do të përdoren për barnat onkologjike
Buxheti i vitit 2026 synon të mbështesë rritjen ekonomike, rritjen e të ardhurave për qytetarët dhe forcimin e mbrojtjes sociale, në një kontekst të rritjes së shpenzimeve publike dhe investimeve.
