Janë bërë publik emrat e dy personave të arrestuar gjatë aksionit të zhvilluar nga forcat speciale të RENEA-s në zonën e Fushë-Kuqes, në kuadër të operacioneve kundër veprimtarive kriminale.
Sipas gazetares Xhensila Kodra, personat e vënë në pranga janë Elvin Merlika dhe Fred Xhixha, të cilët rezultonin të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Arrestimet u kryen pas kontrolleve të imtësishme në banesat e tyre, ku policia dyshon se mbanin armë zjarri pa leje. Gjatë aksioneve të zhvilluara si në Dobraç të Shkodrës, ashtu edhe në Fushë-Kuqe të Kurbinit, forcat e rendit kanë sekuestruar armë zjarri, ndërsa kontrollet në terren vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
Policia e Shtetit bëri me dije se këto operacione janë pjesë e një plani të zgjeruar masash për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive kriminale, veçanërisht në zonat e veriut të vendit.
Autoritetet pritet të japin informacione dhe detaje të tjera zyrtare në orët në vijim, pas përfundimit të plotë të veprimeve procedurale.
