Tiranë, 12 dhjetor 2025 | 07:56
Dalën detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar nga forcat speciale të RENEA-s në zonën e Dobraçit në Shkodër dhe Fushë-Kuqe në Kurbin, në kuadër të operacioneve kundër veprimtarive kriminale.
Sipas gazetares Xhensila Kodra, dy personat e arrestuar rezultojnë të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Ata janë vënë në pranga nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturë në varësi të Departamentit të Policisë Kriminale.
Burime policore bëjnë me dije se arrestimet janë kryer pas një pune të mirëorganizuar operacionale dhe informative, ndërsa identitetet e personave të ndaluar ende nuk janë bërë publike, për shkak të hetimeve në vijim.
Operacionet në Dobraç dhe Fushë-Kuqe janë pjesë e një serie veprimesh të koordinuara nga Policia e Shtetit, me fokus zonat problematike në veri të vendit, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e aktivitetit kriminal.
Autoritetet pritet të japin informacione dhe detaje të tjera zyrtare në orët në vijim, pas përfundimit të plotë të kontrolleve dhe procedurave hetimore.
