Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zgjedhjes së Klodian Brahos si drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), vendim i marrë sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ku Braho siguroi 7 vota në garë me tre kandidatë të tjerë.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social “X”, kreu i qeverisë përgëzoi drejtuesin e ri të SPAK-ut, duke i uruar suksese në detyrën e rëndësishme që do të marrë në drejtim të institucionit për tre vitet e ardhshme.
Rama vlerësoi gjithashtu punën e drejtuesit aktual të SPAK, Altin Dumani, për të cilin theksoi se meriton përgëzime për rezultatet e arritura gjatë mandatit të tij trevjeçar në krye të Prokurorisë së Posaçme.
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punën e institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij”, shkruan Rama.
Kryeministri nënvizoi se SPAK do të vijojë të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës qeverisëse, duke theksuar se kjo mbështetje synon garantimin e pavarësisë dhe kushteve optimale për përmbushjen e misionit të institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi dhe kushte optimale misionin e vet”, thekson Rama në reagimin e tij.
Klodian Braho pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit, dhe do të drejtojë SPAK për një mandat trevjeçar, në një periudhë të konsideruar kyçe për reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit europian të vendit.
