Opozita do të hapë sot zyrtarisht në orën 19:00 te “Nënë Tereza” fushatën e saj për zgjedhjet.
Më një skenografi krejt ndryshe nga herë të tjera, ky moment do të paraprihet që prej orës 18:00 nga aktivitetet e të rinjve, njësoj si imazhi i hapjes së fushatës të Presidentit Trump, në qendër të të cilit ishte rinia. Tri ekrane LED do të vendosen për historikun e PDsë, ndërkohë që në hyrje të bulevardit do jenë 11-të njësha, që simbolizojnë numrin e “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në fletën e votimit.
Drejtuesi i fushatës, Chris LaCivita, do të jetë krah Sali Berishës, të cilët do t’u drejtohen shqiptarëve më fjalimet e tyre. Vetë lideri i PD-së dje nuk zbuloi detajet e hapjes së fushatës elektorale, por ai foli për mbështetje të madhe të shqiptarëve për PD-në në garën e 11 majit.
Në prag të çeljes zyrtarisht të fushatës, Berisha nuk tregoi shumë detaje dhe zgjodhi të bëjë vetëm batuta. Sipas tij, gjithçka është gati për çeljen zyrtare të fushatës, skenarin e së cilës preferon ta mbajë surprizë, duke e krahasuar me ceremoninë e martesës së një çifti. “Çifti dashurohet, muaj apo vite, po e ka një ditë që ndryshon dhe paraqitet krejt tjetër dhe të gjithë, pavarësisht se i kanë parë me qindra dhe mijëra herë, vrapojnë t’i shohin atë ditë si çift, me kostumin e nusërisë. Ndaj dhe të gjitha surprizat janë nesër”, – tha Sali Berisha.
Ndryshe nga Kryeministri, ai nuk preferon të flasë me shifra kur bëhet fjalë për mandatet që thotë se do rikthejnë në pushtet demokratët pas 12 vite qëndrimi në opozitë. “Unë nuk jap kurrë përqindje dhe numra, sepse unë nuk jam profet. Ajo që bëj unë është të siguroj një mbështetje madhore kombëtare dhe ndërkombëtare në fitoren e 11 majit dhe besoj se këto janë evidente. Shihni entuziazmin që ekziston dhe optimizmin e ligjshëm që ekziston sot në Shqipëri”, – theksoi Berisha.
