Rasti i dyfishtë i vrasjes së pronarit të një kampingu në Finikounda dhe të punëtorit të tij shqiptar, i ekzekutuar në të njëjtin atentat, ka marrë përmasa edhe më dramatike pas arrestimit të nipit të viktimës dhe një biznesmeni mik të tij.
Amalia Tomara, mbesa e pronarit të kampingut, ka folur për herë të parë publikisht për ngjarjen, duke dhënë detaje tronditëse për raportet brenda familjes dhe rrethin e viktimës.
“Jam e shkatërruar… nipi im doli organizatori i vrasjes”
“Jam e shkatërruar,” – tha Amalia në një intervistë për ERT.
Ajo rrëfeu se si Dionysis, nipi i viktimës dhe fëmija që ishte rritur në shtëpinë e saj, është arrestuar si organizatori i atentatit që vrau xhaxhain dhe punëtorin shqiptar.
“Nuk e besoj ende. Dionysi akuzohet si truri i vrasjes së xhaxhait tim. Ky fëmijë është rritur me fëmijët e mi.”
Testamenti u ndryshua 5 herë në 6 muaj – përfitues ishte punëtori shqiptar
Sipas dëshmisë së saj, konflikti kishte nisur nga testamenti i xhaxhait, i cili ndodhet në qendër të hetimeve.
Amalia tregon se i ndjeri e kishte ndryshuar testamentin pesë herë brenda gjashtë muajve, nga frika dhe presionet, dhe në versionin e fundit, një pjesë të madhe të pasurisë ia linte punëtorit shqiptar, i cili gjithashtu u vra në atentat.
“Sapo doli nga zyra e noterit, u kuptua menjëherë kush përfitonte. Informacioni rridhte me shpejtësi. Ishte e qartë që punëtori shqiptar përfitonte pjesën kryesore.”
Ajo akuzoi edhe noterin dhe dëshmitarët e përfshirë në dokumentet ligjore, duke thënë se emrat që firmosnin si dëshmitarë “nuk ishte normale të përfshiheshin në një pasuri kaq të madhe”.
Frika e xhaxhait dhe paralajmërimet brenda familjes
Sipas mbesës, xhaxhai kishte frikë për jetën dhe e ndërronte testamentin shpesh:
“Ai e ndryshonte shpesh testamentin. Pesë herë në 6 muaj. Na thoshte: ‘Amalia, do të të nxjerr jashtë. Dionysis, do të të nxjerr jashtë’. Ai kujdesej për të gjithë, por kishte frikë.”
Ajo shton se xhaxhai kishte konflikte të vazhdueshme me nipin që sot është i arrestuar.
“Edhe unë dhe djali im i mitur u dyshuam”
Në një moment të hetimit, edhe Amalia dhe djali i saj i mitur u vunë në shënjestër të dyshimeve.
“Në fillim dikush kishte drejtuar shigjetat nga unë dhe djali im. Për të na nxjerrë nga testamenti. Djali im tani ndiqet nga psikologu. Mbart trauma dhe në shkollë shkon me kapuç.”
Ajo akuzon hapur kushëririn e saj – tashmë të arrestuar – se ka tentuar ta implikojë për të shpëtuar veten.
Punëtori shqiptar, viktimë e pafajshme e një konflikti për pasuri
Punëtori shqiptar, i cili sipas testamentit të fundit përfitonte një pjesë të madhe të pronësisë së kampingut, u vra bashkë me pronarin, duke u bërë kolateral i një konflikti të tmerrshëm familjar.
Hetimet greke kanë zbuluar se atentati është planifikuar dhe ekzekutuar nga nipi i viktimës dhe një mik biznesmen, me motiv pasurinë e madhe.
