Gazetari i News24, Osman Stafa, është kërcënuar me jetë pas serisë së investigimeve të tij mbi mungesat e ilaçeve, pajisjeve jetike dhe abuzimet me pacientët në Spitalin Onkologjik, një prej çështjeve më të rënda të denoncuara muajt e fundit në sistemin shëndetësor.
Kërcënimi ka mbërritur nga një adresë anonime në rrjetet sociale, përmes një mesazhi me gjuhë kërcënuese, fyese dhe vulgare, ku gazetari urdhërohej që të mos shfaqej më pranë Onkologjikut dhe të ndalonte publikimin e fakteve mbi korrupsionin brenda këtij institucioni.
Pas marrjes së mesazhit, Stafa ka depozituar kallëzim penal në Policinë e Shtetit, duke e cilësuar rastin si kërcënim për shkak të detyrës. Burime konfirmojnë se autoritetet kanë nisur procedurat për identifikimin e autorit të mesazhit dhe shtjellimin e motivit të kërcënimit.
Pavarësisht presioneve, gazetari është shprehur se nuk do të tërhiqet nga investigimet që po kryen prej kohësh në lidhje me gjendjen alarmante të shërbimit onkologjik në vend.
Prej vitesh, Stafa ka denoncuar publikisht një sërë problematikash serioze:
- Mungesën e brakiterapisë, një shërbim jetik për trajtimin e tumoreve gjinekologjike;
- Mungesën e PET-scan, pajisje e domosdoshme për diagnostikim të saktë;
- Mungesat e përsëritura të ilaçeve të kimioterapisë, që rrezikojnë jetën e pacientëve;
- Raste abuzimi dhe korrupsioni nga personeli mjekësor, përfshirë trafikimin e biopsive drejt laboratorëve privatë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin e gazetarëve, të cilët kërkojnë garantimin e sigurisë së Stafës dhe hetim të plotë të kërcënimit.
