Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka përshëndetur zgjedhjen e Klodian Brahos si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke theksuar se ky institucion mbetet një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Në një deklaratë për mediat pas votimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Gonzato nënvizoi rëndësinë që ka vazhdimësia e punës së SPAK kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“SPAK ka rol vendimtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin në BE,” u shpreh ambasadori.
Duke përgëzuar Brahon për mandatin e ri, ai deklaroi se BE pret që ai të ruajë standardet e larta të pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit.
“Dje thamë se ajo që kërkojmë është një drejtues që garanton pavarësi dhe integritet. Sot uroj z. Braho dhe presim bashkëpunim të ngushtë me të në vitet e ardhshme,” shtoi Gonzato.
Në ndërkohë, Delegacioni i BE-së në Tiranë, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se ambasadorët e vendeve anëtare kanë ndjekur nga afër procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, si shenjë të mbështetjes së plotë ndaj këtij institucioni.
BE theksoi se SPAK mbetet një aktor thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit dhe për përmbushjen e detyrimeve të integrimit evropian.
“Përgëzojmë Klodian Brahon për emërimin. Integriteti, pavarësia dhe përkushtimi ndaj standardeve evropiane janë thelbësore për këtë detyrë kaq të rëndësishme,” deklaroi Gonzato në njoftimin zyrtar.
Me marrjen e detyrës më 19 dhjetor, Braho do të pasojë Altin Dumanin në krye të Prokurorisë së Posaçme, në një moment kritik për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.
