Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot para mediave se vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku nuk ka të bëjë me funksionin e saj politik, por – siç tha ai – me veprimet e saj penale si qytetare.
Berisha theksoi se çështja e Ballukut po përdoret si mbulim për atë që e quajti “dosja Rama”, duke pretenduar se në prapaskenë po zhvillohet një betejë shumë më e madhe që lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin.
“Pezullimi nuk është për zv.kryeministren, është për qytetaren Belinda Balluku që ka vjedhur – dhe Rama mbrapa saj,” deklaroi Berisha.
“Beteja e vërtetë nuk është në parlament, por në një sallë tjetër”
Sipas Berishës, kundërshtimi i kryeministrit ndaj zbatimit të vendimit të GJKKO-së nuk lidhet me mbrojtjen e Ballukut, por me interesin e tij personal, pasi – siç pretendon ai – “dosja Rama” është në qendër të zhvillimeve të fundit.
“Harrojeni dosjen Balluku. Gjithçka po vërtitet për dosjen Rama. Beteja nuk zhvillohet në parlament, por në një sallë tjetër ku ka zbarkuar e gjithë bota.”
Sipas tij, Rama po ushtron “presione të paprecedenta” ndaj institucioneve të drejtësisë, sidomos ndaj Gjykatës Kushtetuese, në një përpjekje për të ndikuar në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.
“Edi Rama ka lëshuar të gjitha tentakulat, të gjitha mjetet dhe metodat për të grabitur kreun e SPAK, sepse ajo që rrezikohet është dosja e tij.”
“Rama po përjeton tmerre të papara”
Berisha e intensifikoi retorikën duke thënë se kryeministri po kalon ditët më të vështira politike:
“Ai po përjeton tmerre ‘never felt before’, siç thotë Edgar Allan Poe. Janë tmerre që nuk i ka përjetuar kurrë më parë.”
Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin për përpjekje për të deformuar drejtësinë, ndërsa theksoi se përvoja e Gjykatës Kushtetuese në çështje të të drejtave të funksionarëve publikë ka qenë e qartë, duke përmendur rastin e tij me bllokimin e pasaportës.
