Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kërkuar sot në seancën plenare që projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të hiqet nga rendi i ditës. Ai deklaroi se PD ka tërhequr të gjitha firmat e deputetëve që mbështesnin kandidaturat e regjistruara, duke akuzuar mazhorancën se po ndërhyn për të diktuar rezultatin e procesit.
Sipas Këlliçit, opozita nuk do të marrë pjesë në procedurë sa kohë që emri i Endri Shabanit — kandidat që, sipas tij, favorizohet nga Partia Socialiste — mbetet në garë.
Këlliçi: PD nuk është pjesë e farsës
“E kemi bërë të ditur me shkrim qëndrimin tonë. Keni marrë njoftimin për tërheqjen e të gjitha firmave. Asnjë nga kandidaturat nuk ka më mbështetjen e deputetëve të PD,” deklaroi Këlliçi nga foltorja e Kuvendit.
Ai akuzoi mazhorancën se po kërkon të marrë institucionin e Avokatit të Popullit, duke thënë se skenari është paralajmëruar prej javësh.
“Është lepuri i Surrelit që po çon deri në fund planin e mazhorancës, e cila ka deklaruar se Avokatin e Popullit do ta marrë PS,” u shpreh ai.
Kandidaturat që PD mbështet
Këlliçi theksoi se kandidaturat zyrtare të demokratëve në këtë proces janë:
- Adriana Kalaja
- Besim Ndregjoni
Ndërkohë, ai rikujtoi se emri i Endri Shabanit, ish-kryetar i lëvizjes “Thurje”, sipas PD-së favorizohet nga PS — çka ka sjellë krizën politike në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Opozita kërkon rishikim të plotë të procedurës
Deputeti demokrat kërkoi që procesi të pezullohet derisa të ketë një konsultim real dhe një marrëveshje politike, duke nënvizuar se Avokati i Popullit kërkon votat e 84 deputetëve dhe nuk mund të zgjidhet pa konsensus.
