Rritje të çmendur çmimesh po regjistrohen në prag të Botërorit 2026, me hoteleri që po shfrytëzojnë maksimalisht kërkesën e jashtëzakonshme për turneun më të madh të futbollit në planet. Të dhënat e fundit tregojnë se çmimet në disa qytete të vendeve pritëse kanë shpërthyer, duke kapur nivele që tejkalojnë çdo parashikim.
Në Meksikë, ku më 11 qershor starton magjia e Kupës së Botës, netët e hoteleve për datat 10 dhe 11 qershor shkojnë deri në 3,330 euro, ndërsa një dhomë që normalisht kushton vetëm 135 euro, tani jepet me një çmim të frikshëm.
Rritja mesatare e çmimeve të akomodimit në vendet pritëse thuhet se ka arritur 300%, por rekordin absolut po e mban Meksiko Siti, ku çmimet janë rritur me plot 2,373%, duke e shndërruar qytetin në një prej destinacioneve më të shtrenjta të momentit.
Kjo situatë po ngre alarmin te tifozët e futbollit, të cilët po përballen me kostot më të larta të ndonjë Botërori. Për shumë analistë, Botërori 2026 pritet të jetë turneu më i shtrenjtë në histori, duke lënë pas edhe Kampionatin e Katarit — i kritikuar gjerësisht për çmimet e papërballueshme.
