Nipi i pronarit grek të kampingut në Finikounda, i arrestuar për vrasjen e xhaxhait të tij dhe punëtorit shqiptar më 5 tetor, rezulton se kishte tentuar më herët eliminimin e 68-vjeçarit Kostas Tomaras. Burime të “Protothema” konfirmojnë se ai akuzohet si nxitës i një tentative të mëparshme për vrasjen e xhaxhait, e mbetur e pasuksesshme.
Sipas hetimeve, plani u realizua disa muaj më vonë me ndihmën e mikut të tij biznesmen nga Athina dhe dy 22-vjeçarëve të përdorur si ekzekutorë, pas inskenimit të një konflikti të thjeshtë në kamping.
Arrestimet dhe kërkimet
Dy të dyshuarit kryesorë – nipi dhe biznesmeni – u arrestuan sot në Vula, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga hetuesi. Hetimet po shtrihen edhe ndaj një personi të tretë, mik i biznesmenit, i cili është shpallur në kërkim për bashkëpunim në krim.
Policia greke kishte monitoruar lëvizjet e tyre prej muajsh dhe në nëntor kreu kontrolle të detajuara në bizneset e pronarit athinas, ku punonte një nga dy ekzekutorët 22-vjeçarë të dyshuar.
Lidhjet e ngushta midis nipit dhe biznesmenit
Dëshmia e nipit, i cili u vetëdeklarua si dëshmitar okular, nxori në pah një lidhje të hershme me biznesmenin. Telefonata e parë pas vrasjes, sipas tij, iu bë pikërisht atij – jo policisë.
“Isha në shok dhe nuk mund të flisja. I kërkova partneres të telefononte G. sepse ishte personi i parë që më erdhi në mendje,” – kishte deklaruar ai, duke e prezantuar biznesmenin si figurë kyçe në jetën e tij.
Dëshmia e nipit: si ndodhi vrasja e dyfishtë
Në dëshminë e tij, i riu përshkruan momentet dramatike kur autori u paraqit në pritjen e kampingut duke u shtirur si turist:
- Vrasësi hyri duke kërkuar me anglisht “një vend për të qëndruar”.
- Xhaxhai, me ton ironik, i është përgjigjur me “Çfarë vendi?”, pas së cilës autori hapi zjarr.
- Dy plumba goditën Tomaras, ndërsa punëtori shqiptar u vra teksa përpiqej të largohej.
- Nipi rrëfen se vrasësi e ndoqi edhe vetë, duke qëlluar disa herë në drejtimin e tij.
“Isha shumë i frikësuar. Po vrapoja sa mundja. Në një moment rashë dhe pashë që ai u kthye prapa…” – tregoi nipi në dëshmi.
Ai pretendon se mund ta identifikojë qartë vrasësin, duke thënë se e pa fytyrën dhe veshjen e tij.
Hetimet vazhdojnë – sinjalizohen zhvillime të reja
Autoritetet dyshojnë se vrasja është kryer me porosi, ndërsa nipi figuron si hallka lidhëse midis ekzekutorëve dhe personave që dyshohet se e kanë orkestruar krimin.
Në kërkim është edhe një 48-vjeçar grek, mik i biznesmenit athinas, i njohur për të kaluar kriminale dhe i përfshirë më parë në çështje grabitjesh dhe rrëmbimesh. Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivet dhe rrjetin që qëndron pas vrasjes së dyfishtë.
