Berisha shpërthen ndaj Ramës: “S’ke të drejtë t’u përmendësh rrogat gjyqtarëve! Përgatituni për protestat më të mëdha në histori”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë polemizoi me Shoqatën e Gjyqtarëve në lidhje me çështjen e ministrit Belinda Balluku.

Berisha akuzoi Ramën se po kërcënon gjyqtarët dhe po manipulon opinionin publik duke u përmendur pagat sikur, sipas tij, “i paguan nga pronat e Surrelit e jo nga buxheti i shtetit”.

Duke e cilësuar sjelljen e kryeministrit “akt pacipësie”, Berisha deklaroi se Rama po tenton të përdorë fondet publike si presion ndaj gjyqësorit, në një moment kur, sipas tij, gjykatat po shqyrtojnë çështje që prekin qeverinë dhe ministrat e saj.

Berisha bëri thirrje publike për mobilizim qytetar, duke paralajmëruar protesta të përmasave të mëdha:

“Po dje, për herë të dytë, në një ndërhyrje tjetër, u përmend rrogat e gjyqtarëve sikur i jep nga pronat e Surrelit, nga pasuritë e vjedhura. Jo nga buxheti i shtetit. Një akt paciptësie, në një kohë kur ata gjykojnë dhe ai përpiqet t’i kërcënojë. Të përdorësh taksat e qytetarëve për të frikësuar gjykatësit që mbrojnë buxhetin nga hajdutët, është turp.”

Kreu i opozitës theksoi se PD do të intensifikojë qëndrimin e saj ndaj qeverisë dhe u kërkoi qytetarëve të përgatiten për një valë protestash:

“PD e dënon me forcë këtë sjellje dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë: jini të gatshëm për protestat më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë, për t’u ndarë përfundimisht nga kjo bandë hajdutësh që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë.”

Berisha ka theksuar disa herë se qeveria po vepron me arrogancë ndaj institucioneve të pavarura dhe se reforma në drejtësi po përdoret politikisht. Protestat, sipas tij, janë rruga e vetme për të “rikthyer llogaridhënien dhe demokracinë”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related