Janë zbardhur detaje të tjera nga superoperacioni i zhvilluar kundër grupit kriminal “Rraja”, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, rrjeti kriminal operonte në një itinerar të gjerë që përfshinte Shqipërinë, Malin e Zi, Turqinë dhe disa shtete të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të operacionit u arrestuan 7 persona, mes tyre Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja. Gjithashtu, 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit gjatë operacionit të sotëm
- Marvin Bushati
- Agim Nina (alias Lorenc Selmani)
- Sokol Qaja
- Gazmir Rraja
- Përparim Rraja
- Rexhep Rraja
- Zamir Aliaj
Të arrestuar më herët
- Islam Sefa
- Jani Çavo
- Aldo Gjini
Të shpallur në kërkim
Për trafikun kryesor Shqipëri–Mali i Zi–Turqi–BE:
- Ervis Shuli
Në kërkim për episode të tjera të trafikut të drogës me Gjermaninë:
- Bujar Sefa
- Hajdar Sefa
- Vildan Baroku
Kush është Rexhep Rraja – i arrestuar edhe më parë për episode të dhunshme
Rexhep Rraja, tashmë i arrestuar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal “Rraja”, nuk është emër i panjohur për drejtësinë.
Ai është i riu që u filmua në vitin 2023 duke goditur me shkop bejsbolli dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, në një episod të bujshëm dhune ku u përfshinë edhe xhaxhallarët e tij, Xhelal dhe Flamur Rraja, këtë të fundit i kapur në video teksa drejtonte armën mbi viktimën pa ndjenja.
Rexhep Rraja është përfshirë edhe në një tjetër rast të rëndë në vitin 2018, kur u akuzua se ushtronte dhunë ndaj të dashurës së tij, Xhisiela Maloku. Oficeri Emiljano Nuhu denoncoi publikisht se u kërcënua me armë nga familjarët Rraja për të mbyllur çështjen.
Mjekësia ligjore konfirmoi shenja dhune te Maloku, por më pas kjo e fundit tërhoqi denoncimin.
Rraja u arrestua më 30 shtator 2018 dhe u la i lirë tre muaj më pas, duke fituar masën e lirimit me kusht.
Operacioni i sotëm e rikthen sërish në qendër të vëmendjes familjen Rraja, ndërsa SPAK dhe Policia po vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë rrjetin e trafikut të drogës ndërkombëtare.
