Një tjetër ngjarje kriminale ka tronditur Shkodrën mbrëmjen e së martës, ku një sasi lënde plasëse u aktivizua pranë biznesit të reklamave “Lufa Print”, në lagjen “Skënderbeg”. Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:20 dhe u shoqërua me panik në zonë, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Sipas burimeve nga policia, ngjarja është kryer nga dy autorë të maskuar, të cilët lëviznin me një motor. Ata janë afruar pranë derës së biznesit, kanë vendosur lëndën plasëse dhe janë larguar me shpejtësi pak sekonda para shpërthimit.
Pamjet e kamerave të sigurisë, tashmë në duart e hetuesve, tregojnë qartë dy të rinj të veshur me kapuç, me fytyrën e mbuluar për të shmangur identifikimin. Policia po analizon lëvizjet e tyre për të zbuluar itinerarin e arratisjes.
Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale në fasadën e subjektit “Lufa Print”, në pronësi të Lulzim Mehmetit, i cili ndodhet aktualisht në vendngjarje së bashku me forcat e policisë.
Në terren kanë mbërritur forcat e rendit dhe grupi hetimor, ndërsa ngjarja po ndiqet personalisht edhe nga Drejtori i Policisë së Shkodrës, Gent Berberi.
Reagimi zyrtar i Policisë së Shkodrës
“Rreth orës 22:20, në lagjen ‘Skënderbeg’, Shkodër, në derën e një subjekti reklamash dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë ka pasur vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.”
Hetimet po vijojnë intensivisht për të zbardhur motivin e shpërthimit dhe për të identifikuar autorët që dyshohet se i përkasin një grupi të organizuar.
