Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar me tone të forta pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen gjyqësore të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata shpreh “shqetësim dhe indinjatë”, duke e cilësuar qasjen e kryeministrit si një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë, në një moment kur çështja po shqyrtohet paralelisht si në Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe në gjykatat e posaçme.
“Mesazh i koduar presioni”
Sipas reagimit, Rama, teksa flet për “uzurpim të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ nga gjyqësori”, në të vërtetë synon të dërgojë sinjale presioni ndaj gjyqtarëve që po trajtojnë çështjen Balluku:
“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve… fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë.”
Shoqata paralajmëron se deklaratat e përsëritura në publik kanë si efekt krijimin e klimës së mosbesimit te sistemi gjyqësor, duke hapur udhë për masa erozive ndaj pavarësisë së tij.
Rrezikimi i parimit të ndarjes së pushteteve
Shoqata kujton se pavarësia e gjyqësorit është gur themeli i demokracisë dhe çdo ndërhyrje politike – qoftë edhe verbale – rrezikon të deformojë vendimmarrjen:
“Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë procedurave gjyqësore është forma më e rrezikshme e shkeljes së ndarjes së pushteteve.”
Deklarata nënvizon se gjyqtarët nuk gjykojnë për të fituar pëlqimin e publikut, por zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin. Vendimet mund të mos jenë të pëlqyeshme nga disa aktorë politikë, por kjo nuk i bën ato të pavlefshme apo ilegjitime.
Kujtesë për raportet e BE-së
Në reagim citohet edhe Komisioni Europian, i cili në raportet e tij ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për presionet politike ndaj drejtësisë në Shqipëri.
Shoqata paralajmëron se vazhdimi i këtij fenomeni dëmton besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë dhe cenon themelet e shtetit të së drejtës.
Thirrja e gjyqtarëve për Kryeministrin dhe zyrtarët e lartë
Në fund të deklaratës, Shoqata i bën thirrje të gjithë zyrtarëve të dy pushteteve të tjera – ekzekutivit dhe legjislativit – që:
- të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve,
- të distancohen nga deklaratat presionuese,
- dhe të shmangin çdo ndërhyrje direkte apo indirekte në proceset gjyqësore.
