Ish-ministri kuban i Ekonomisë, Alejandro Gil, është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi gjykata e shpalli fajtor për një sërë akuzash, duke përfshirë spiunazh, korrupsion, ryshfet, falsifikim dokumentesh, abuzim me detyrën dhe evazion fiskal. Ky është një ndër proceset më të bujshme gjyqësore në Kubë në dekadat e fundit.
Sipas agjencisë Reuters, çështja ka tronditur skenën politike kubane, pasi Gil konsiderohej për vite me radhë si një nga njerëzit më të besuar të presidentit Miguel Díaz-Canel.
Një rënie spektakolare nga maja e pushtetit
Alejandro Gil drejtoi reformat monetare të vitit 2021, të cilat synonin stabilizimin e ekonomisë, por që përfunduan duke e përkeqësuar krizën financiare në vend. Masat e ndërmarra prej tij u kritikuan ashpër nga ekspertë dhe qytetarë, pasi sollën rritje të inflacionit dhe mungesa të theksuara të mallrave bazë.
Gjykata deklaroi se Gil kishte shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare për përfitime personale.
Akuza të rënda: nga ryshfeti te spiunazhi
Në deklaratën zyrtare të gjykatës thuhet:
“Përmes veprimeve korruptive dhe mashtruese, Gil abuzoi me pushtetet e dhëna nga funksioni i tij, duke marrë para nga kompani të huaja dhe duke u dhënë ryshfet zyrtarëve të tjerë publikë për të legalizuar përvetësimin e aseteve.”
Ndër akuzat më të rënda figuron edhe spiujanazhi, një vepër penale që në Kubë konsiderohet ndër më të rëndat dhe ndëshkohet me burgim të përjetshëm.
Pritet reagim ndërkombëtar
Dënimi i Gil pritet të shkaktojë diskutime të gjera ndërkombëtare, sidomos përballë akuzave të hershme ndaj qeverisë kubane për mungesë transparence dhe hetime politike. Megjithatë, autoritetet kubane e kanë cilësuar procesin si “të bazuar në prova të pakundërshtueshme”.
