Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së hënës zonën e Klosit, ku një 40-vjeçar, nip i figurës së njohur të botës së krimit Nehat Kulla, dyshohet se i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga ura e fshatit Fshat, përgjatë Rrugës së Arbrit. Tragjedia ndodhi rreth orës 23:00 të datës 8 dhjetor.
Sipas burimeve nga vendngjarja, i riu ndaloi automjetin në mes të urës, zbriti prej tij, u ngjit mbi mbrojtëset anësore dhe më pas u hodh në humnerën e thellë 158 metra — ura më e lartë në Ballkan. Rënia rezultoi fatale.
Terreni tepër i vështirë dhe ndriçimi i kufizuar bënë që kërkimet të zgjatnin për disa orë. Vetëm pas ndërhyrjes së Policisë dhe Zjarrfikësve u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë nga gremina.
Policia njoftoi zyrtarisht se viktima është K.K., 39 vjeç, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar motivet që e çuan drejt aktit ekstrem.
Kush ishte Nehat Kulla?
Nehat Kulla, një nga figurat më të njohura të botës së krimit të viteve ’90, ndërroi jetë në qershor të vitit 2020 në moshën 67-vjeçare. Ai ishte dënuar me 20 vite burg për vrasjen e shoferit të një ish-zëvendësministri në vitin 1998 dhe u lirua në vitin 2019 pas kryerjes së dënimit.
Gjatë trazirave të vitit 1997, Kulla krijoi grupin e njohur si “ushtria e Nehatit”, duke kontrolluar zona të tëra në Tufinë e Kinostudio dhe madje duke ngritur një strukturë të ngjashme me komisariat policie. Reputacioni i tij si “gjeneral” u përhap shpejt, ndërsa banda e tij u bë e njohur për një sërë krimesh të rënda.
Ngjarja e rëndë e mbrëmjes së djeshme rikthen vëmendjen te një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, duke lënë pas pyetje të shumta mbi rrethanat dhe arsyet që çuan nipin e tij drejt këtij akti fatal. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
