Boçi akuzon PS-në për manovra në zgjedhjen e Avokatit të Popullit: “Mazhoranca na mohoi të drejtën për kandidatin”

Data

Deputeti demokrat Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin Studio24, komentoi jo vetëm zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike dhe valën e re të foltoreve, por u ndal edhe tek procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për të cilin akuzoi Partinë Socialiste për “sjellje prej dhelpre”.

Boçi deklaroi se opozitës i është mohuar në mënyrë të padrejtë e drejta për të pasur kandidatin e vet për këtë institucion të rëndësishëm të pavarur. Sipas tij, praktika e mëparshme tregonte se Avokati i Popullit duhej të përfaqësonte konsensusin dhe balancën mes palëve.

“Avokati i Popullit është institucion që duhet të ketë përfaqësim nga opozita. PD e ka treguar këtë frymë kur ka mbështetur kandidatë të propozuar nga PS, si Igli Totozani. Të njëjtën sjellje kërkonim edhe nga mazhoranca,” u shpreh Boçi.

Megjithatë, ai pranoi se brenda PD-së ka pasur mjegull të panevojshme lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit. Sipas tij, partia kishte vendosur që t’i firmoste paraprakisht të gjithë kandidatët që paraqiteshin, ndërsa faza e selektimit do të bëhej më pas — një proces që ai e quan të mangët dhe të pasaktë politikisht.

Boçi kritikoi edhe mazhorancën, duke thënë se PS përdor manovra të fshehta për të marrë kontroll të plotë mbi institucionet:

“Nga PS luhet në nivele dhelpre. Mazhoranca kërkon të mbajë çdo institucion, përfshirë edhe Avokatin e Popullit. Sjellje fraktare, arrogante. I njëjti skenar si tre vite më parë.”

Sipas tij, procesi që duhej të ndiqej ishte ai i propozuar nga vetë PD për zgjedhjen e anëtarëve të AMA-s: dorëzimi i disa kandidaturave, filtrimi i tyre dhe përzgjedhja përfundimtare në seancë plenare. Por mazhoranca, sipas Boçit, nuk i ka respektuar parimet e bashkëpunimit institucional.

Deputeti njoftoi se, si formë proteste, PD ka tërhequr të gjitha firmat e saj nga ky proces.

“Na është mohuar e drejta për të pasur kandidatin tonë. Mazhoranca nuk kërkon dialog, kërkon të marrë gjithçka,” përfundoi Boçi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related