Emigrantët shqiptarë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të tregut të punës në Gjermani, por të dhënat e fundit të publikuara nga Bruegel tregojnë një përqendrim të theksuar në punë me aftësi të ulëta dhe të mesme, ndërsa përfaqësimi në profesione të kualifikuara mbetet ndër më të ulëtit në rajon.
Sipas raportit, 40.84% e shqiptarëve janë të punësuar si helper – punë të pakualifikuara ose gjysmë të kualifikuara, kryesisht në sektorë fizikë, logjistikë dhe shërbime. Ky është një nga nivelët më të larta të rajonit, duke tejkaluar Bosnjën dhe Serbinë.
Një tjetër grup i madh, 48.94%, punon si të kualifikuar teknikë apo zanatçinj, duke përfshirë profesione si mekanikë, ndërtim, instalime dhe profesionistë me trajnime specifike profesionale. Megjithëse kjo tregon një bazë të caktuar formimi profesional, struktura mbetet larg standardeve europiane, ku profesionet e specializuara zënë një peshë shumë më të madhe.
Ndërkohë, vetëm 4.54% e shqiptarëve klasifikohen si specialistë – infermierë të certifikuar, teknikë të avancuar apo profesionistë që kërkojnë kualifikime të larta. Përqindja e ekspertëve, duke përfshirë inxhinierë, IT specialistë dhe profesionistë akademikë, arrin vetëm 5.53%.
Në total, 89.78% e shqiptarëve në Gjermani punojnë në dy nivelet më të ulëta të kategorive të aftësive – një tregues i qartë se emigracioni shqiptar i përgjigjet më shumë kërkesës gjermane për punë fizike dhe më pak për profesione të specializuara.
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria qëndron ndjeshëm më poshtë në rolet e larta profesionale. Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë përqindje dukshëm më të larta të punonjësve të kualifikuar dhe specialistëve.
Ky profil i fuqisë punëtore lidhet si me nevojat e tregut gjerman, ashtu edhe me sfida të brendshme shqiptare – që nga cilësia e arsimit profesional, te mungesa e politikave që nxisin profesionet e specializuara. Në afatgjatë, ky trend krijon rrezik për boshatisjen e profesioneve të kërkuara në Shqipëri, ndërsa Gjermanisë i shton varësinë nga emigracioni.
